Tensione në Kuvend, Bajrami i shkon te ulësja Ahmetit – ndërhyn Haxhiu

Nga D. V.
191 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 21 prill, Zhurnal.mk – Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për energjinë elektrike është shoqëruar me tensione dhe përplasje të forta verbale mes deputetëve të pozitës dhe opozitës.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ejup Ahmeti, kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella, duke e akuzuar njëri-tjetrin për përfshirje në “dallavere”.

Bajrami deklaroi se, sipas saj, “mafia energjetike” është e pranishme në qeverisjen aktuale, duke përmendur edhe emrin e deputetit Ahmeti.

“Mafia energjetike është fakt. Nuk jeni dalë me demantu asnjëherë, lidhjet e juaja me njerëz që janë të lidhur me tregtarë të energjisë janë fakte. Shefi i kabinetit të kryeministrit të Kosovës hap kompani për tregti të energjisë elektrike,” tha Bajrami.

Nga ana tjetër, Ahmeti i hodhi poshtë këto pretendime dhe akuzoi zyrtarë të LDK-së, përfshirë edhe kryetarin Lumir Abdixhiku.

“Kjo nuk është e vërtetë. Për çdo gjë të konsultoheni me kolegët tuaj nga LDK-ja… Baxhanaku i Lumir Abdixhikut, Besart Bajraktari, tregoni mirë qytetarëve sa tenderë i merr ky. Po ashtu kompania e babait të kryetarit Abdixhiku dhe gruaja e tij kanë themeluar kompani për tregtim të energjisë,” deklaroi Ahmeti.

Ai shtoi edhe akuza personale ndaj Bajramit, duke pretenduar se bashkëshorti i saj është pronar i një kompanie farmaceutike.

Pas kësaj, Bajrami i mohoi kategorikisht këto pretendime dhe sfidoi Ahmetin që t’i përsërisë jashtë Kuvendit.

“Kërkoj prej teje me dal para mediave në oborr të Kuvendit dhe me thënë këtë deklaratë që e the. As unë dhe as burri im dhe asnjë anëtar i familjes nuk ka lidhje me ndonjë kompani farmaceutike,” tha ajo.

Situata u tensionua më tej kur Bajrami iu afrua ulëses së Ahmetit, duke i kërkuar që debati të vazhdojë jashtë sallës plenare.

Në debat ndërhyri edhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila kërkoi disa herë qetësim të situatës. /Telegrafi/

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër