Pekin, 31 korrik, Zhurnal.mk – Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nxjerrë sërish në pah mosmarrëveshjet e tyre tregtare, ndërsa pritet një takim mes presidentëve të dy vendeve në shtator.
Pekini kritikoi kufizimet e reja tregtare të vendosura nga SHBA-ja, ndërsa Uashingtoni i kërkoi Kinës të respektojë angazhimet që ka marrë.
“Gjatë një bisede me video mes zëvendëskryeministrit kinez He Lifeng, sekretarit amerikan të Thesarit Scott Bessent dhe përfaqësuesit të SHBA-së për Tregtinë, Jamieson Greer, Kina shprehu “shqetësim serioz” për kufizimet e fundit ekonomike dhe tregtare, të vendosura nga Shtetet e Bashkuara te Amerikes”, raportoi agjencia shtetërore kineze “Hsinhua”.
Nga ana tjetër, Scott Bessent shkroi në rrjetin X se i kishte bërë të qartë palës kineze se Uashingtoni pret që Pekini të zbatojë plotësisht, angazhimet e tij lidhur me eksportet e mineraleve të rralla dhe importet e produkteve bujqësore amerikane.
Palët diskutuan gjithashtu krijimin e bordeve të përbashkëta për tregtinë dhe investimet, me synimin për të arritur rezultate konkrete.
Së fundmi, SHBA-ja vendosi një tarifë shtesë prej 12,5% për shumicën e importeve nga Kina, duke akuzuar Pekinin se nuk ka ndaluar në mënyrë të mjaftueshme, produktet që lidhen me punën e detyruar.
Kina i hodhi poshtë këto akuza, duke i cilësuar masat amerikane si të njëanshme dhe proteksioniste.
Po ashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur kufizime edhe për importin e robotëve humanoidë dhe robotëve me katër këmbë të prodhuar në Kinë, duke përmendur shqetësime për sigurinë kombëtare. Pekini kërkoi heqjen e këtyre masave dhe paralajmëroi kundërmasa.
Presidenti amerikan Donald Trump vizitoi Kinën, në muajin maj dhe deklaroi se një vizitë e re mund të zhvillohet më 24 shtator, megjithëse Pekini ende nuk ka konfirmuar një datë zyrtare.
Nëse Trump dhe presidenti kinez Xi Jinping takohen edhe gjatë samitit të APEC-ut në Shenzhen në nëntor dhe samitit të G20-s pranë Majamit në dhjetor, dy liderët mund të zhvillojnë deri në katër takime gjatë këtij viti.
