Tetovë, 26 tetor Zhurnal.mk – Komuna e Tetovës ka formuar Sektorin për Mbrojtje të Mjedisit Jetësor dhe Energjetikë, ndërsa në krye të tij është emëruar Memet Jonuzi.
Vendimi synon forcimin e kapaciteteve institucionale për trajtimin e problemeve mjedisore dhe avancimin e politikave për zhvillim të qëndrueshëm, transmeton **KohaNews**.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka zhvilluar takim pune me udhëheqësin e ri të sektorit, me ç’rast janë përcaktuar detyrat dhe prioritetet e tij.
Sipas njoftimit të Komunës së Tetovës, fokusi i punës do të jetë identifikimi dhe trajtimi i problemeve mjedisore, përgatitja e projekteve për efikasitet energjetik, si dhe bashkëpunimi me institucionet kompetente, ekspertët dhe qytetarët.
Nga komuna theksojnë se sektori i ri synon të kontribuojë në përmirësimin e gjendjes së mjedisit dhe krijimin e një Tetove më të pastër e më të shëndetshme për qytetarët.
