Thellimi i partneritetit strategjik me SHBA-në në fokus të takimeve të kryetarit të Kuvendit, Gashi, në Uashington

Nga B.M
707 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 shkurt – Marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, partneriteti strategjik mes dy vendeve dhe angazhimi i përbashkët për thellimin e bashkëpunimit transatlantik, ishin konfirmuar në takimet të cilat i realizoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në kuadër të vizitës së punës në Uashington.

Siç informon shërbimi për informim i Kuvendit, Gashi u takua me Daniel Xh. Loton, zëvendës ndihmës sekretar në Byronë për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

“Në këtë takim u riafirmua partneriteti i palëkundur ndërmjet dy vendeve, i ndërtuar mbi vlera të përbashkëta demokratike, angazhimin për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, si dhe përkushtimin për paqe dhe stabilitet ndërkombëtar. Bashkëbiseduesit shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet aktuale gjeopolitike, sfidat e sigurisë dhe rolin konstruktiv të Republikës së Maqedonisë së Veriut si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Kryetari Gashi informoi mbi përpjekjet e vazhdueshme për integrim të plotë në Bashkimin Evropian dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së në procesin e reformave”, bëhet e ditur në kumtesë.

Gashi në takim u shoqërua nga nënkryetarët e Kuvendit, Antonio Milloshoski dhe Jovan Mitreski, si dhe nga delegacioni qeveritar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i përbërë nga Ministri Stefan Andonovski, Zlatko Pirinski dhe Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev.

Pas takimeve në Uashington, kryetari i Kuvendit, Gashi pati edhe një takim miqësor me Filip Riker, ish-ambasador i SHBA-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe mik i dëshmuar i vendit, me të cilin diskutuan mbi zhvillimet e fundit politike dhe thellimin e partneritetit strategjik me SHBA-në.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër