Shkup, 2 nëntor, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot (02.11.2026) mbajti fjalim në sesionin hapës të vizitës vlerësuese të Drejtorisë Ekzekutive të Komitetit Kundër Terrorizmit pranë Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (CTED), e cila po zhvillohet në Shkup nga 2 deri më 6 nëntor. Delegacioni i Kombeve të Bashkuara kryesohet nga zëvendësdrejtoresha e CTED-it, Karmen Kantor.
Qëllimi i vizitës është të vlerësohet zbatimi i rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të shqyrtohen kapacitetet dhe sfidat kombëtare në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe të identifikohen mundësitë për avancimin e mëtejshëm të reagimit institucional dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në fjalimin e tij, ministri Toshkovski theksoi se vizita paraqet një mundësi të rëndësishme për vlerësimin gjithëpërfshirës të progresit të shtetit, veçanërisht duke pasur parasysh se vlerësimi i fundit i këtij lloji ishte realizuar në vitin 2011.
“Gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, Maqedonia ka kaluar nëpër reforma të rëndësishme institucionale, ligjore dhe strukturore, përmes të cilave i ka forcuar kapacitetet e saj të sigurisë dhe e ka konfirmuar rolin e saj si partnere e përgjegjshme në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe ndërkombëtar. Përcaktimi ynë është të vazhdojmë zhvillimin e një sistemi që i identifikon me kohë kërcënimet, i parandalon ato në mënyrë efikase dhe garanton sigurinë e qytetarëve”, theksoi Toshkovski.
Ministri theksoi se gjatë periudhës së kaluar janë avancuar mekanizmat për koordinimin ndërinstitucional, shkëmbimin e informacioneve operative dhe bashkëpunimin ndërmjet policisë, shërbimeve të inteligjencës dhe organeve për menaxhimin e kufijve. Njëkohësisht, vëmendje e veçantë i është kushtuar parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, identifikimit të hershëm të radikalizimit, deradikalizimit dhe risocializimit, përmes përfshirjes së komuniteteve lokale, institucioneve arsimore dhe sektorit civil.
Duke folur për prioritetet e ardhshme, Toshkovski paralajmëroi miratimin e Strategjisë së rishikuar Kombëtare për Luftën Kundër Terrorizmit, me theks të veçantë te radikalizimi digjital dhe kërcënimet e reja të sigurisë.
“Kërcënimet terroriste gjithnjë e më shumë po zhvendosen në hapësirën digjitale. Prandaj, tashmë kemi filluar procesin e formimit të një Njësie të specializuar Kombëtare për monitorimin dhe luftimin e përmbajtjeve terroriste në internet. Paralelisht, planifikojmë ushtrime simuluese ndërinstitucionale për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe përballjen me kërcënimet hibride, duke përfshirë edhe sektorin privat”, theksoi ministri.
Në kuadër të vizitës pesëditore vlerësuese do të shqyrtohen disa fusha, ndër të cilat legjislacioni kundër terrorizmit, parandalimi i financimit të terrorizmit, siguria kufitare, bashkëpunimi ndërkombëtar policor dhe gjyqësor, parandalimi i radikalizimit, keqpërdorimi i internetit dhe teknologjive të reja, si dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike. Janë paraparë edhe vizita në terren në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit dhe në vendkalimin kufitar “Tabanoc”.
Në sesionet përmbyllëse, delegacioni do të prezantojë konstatimet dhe rekomandimet e tij preliminare, të cilat do të shërbejnë si bazë për avancimin e mëtejshëm të kapaciteteve kombëtare.
Ministri Toshkovski konfirmoi gatishmërinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme për bashkëpunim të plotë me ekipin ekspert të Kombeve të Bashkuara, duke theksuar se vlerësimi objektiv dhe shkëmbimi ndërkombëtar i përvojave janë të rëndësishëm për ndërtimin e një sistemi të sigurisë më rezistues dhe më efikas.
“Këtë vlerësim e shohim si mundësi për t’i konfirmuar rezultatet e arritura, por edhe për t’i identifikuar fushat në të cilat mund të jemi më të mirë. Lufta kundër terrorizmit kërkon vigjilencë të vazhdueshme, institucione të fuqishme dhe partneritet ndërkombëtar. Qëllimi ynë përfundimtar mbetet mbrojtja e qytetarëve dhe sigurimi i një shteti të qëndrueshëm dhe të sigurt”, porositi Toshkovski.
