Shkup, 25 nëntor, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot mori pjesë dhe u drejtua në mbledhjen plenare të Nën-grupit sektorial të punës “Punët e Brendshme”, e cila u mbajt në sallën solemne të Qeverisë, dhe në të cilën mori pjesë edhe përfaqësuesja e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Roberta Korteze, si dhe përfaqësues të korit diplomatik, institucioneve kompetente dhe organizatave ndërkombëtare.
Detyra themelore e këtij nën-grupi sektorial të punës është mbështetja e qasjes sektoriale në procesin e programimit dhe zbatimit të projekteve të financuara me mjete nga Instrumenti për Ndihmë të Para-anëtarësimit (IPA) i Bashkimit Evropian, si dhe avancimi i koordinimit ndërmjet institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë në realizimin e prioriteteve të përcaktuara reformuese dhe strategjike.
Në mbledhjen plenare u prezantuan dokumentet strategjike, planore dhe programore, projektet aktuale dhe iniciativat e reja projektuese të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa u diskutua edhe për përparimin e deritanishëm në zbatimin e reformave, sfidat aktuale dhe mundësitë për mbështetje të mëtejshme dhe modernizimin e institucionit.
Ministri Toshkovski në fjalimin e tij hyrës theksoi përkushtimin e palëkundur të Ministrisë së Punëve të Brendshme për zbatimin konsekuent të proceseve reformuese, përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Agjenda e Reformave dhe harmonizimin e vazhdueshëm me standardet evropiane dhe praktikat më të mira.
“Integrimi evropian është prioriteti ynë kyç dhe strategjik. Jemi të vetëdijshëm se përparimi në këtë fushë nuk matet vetëm përmes përmbushjes së detyrimeve të përcaktuara formalisht, por mbi të gjitha përmes rezultateve konkrete dhe të qëndrueshme, kapaciteteve institucionale të përforcuara dhe avancimit të cilësisë së shërbimeve dhe sigurisë së qytetarëve”, theksoi ministri Toshkovski.
Toshkovski shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme nga Bashkimi Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht përmes Instrumentit për Ndihmë të Para-anëtarësimit – IPA, si dhe përmes programeve dhe projekteve të tjera të orientuara drejt forcimit të kapaciteteve institucionale, njerëzore dhe teknike të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Me këtë rast, ai theksoi se suksesi i këtij partneriteti nënkupton përkushtim të përbashkët, prioritete të përcaktuara qartë, përgjegjësi dhe iniciativë vetanake institucionale në realizimin e reformave.
Në fjalimin e tij përmbyllës, ministri Toshkovski shprehu kënaqësinë për diskutimin konstruktiv dhe iniciativat projektuese të prezantuara, të cilat hapin mundësi shtesë për modernizimin e policisë maqedonase dhe avancimin e efikasitetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Idetë dhe iniciativat e prezantuara hapin mundësi për avancimin dhe modernizimin e mëtejshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Konsideroj se detyra jonë e përbashkët në periudhën e ardhshme është që mundësitë e identifikuara t’i shndërrojmë në aktivitete konkrete, me qëllime të përcaktuara qartë dhe rezultate të pritshme. Me këtë rast, me rëndësi të veçantë do të jetë të sigurojmë koordinim të duhur institucional, vlerësim real të nevojave dhe qëndrueshmëri të zgjidhjeve të propozuara”, potencoi Toshkovski.
Ministri Toshkovski e konfirmoi përkushtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për përmbushjen e detyrimeve nga Agjenda e Reformave, zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian dhe prioriteteve të përcaktuara reformuese në kuadër të procesit eurointegrues.
Toshkovski theksoi se përmes dialogut të vazhdueshëm, koordinimit të fuqishëm institucional dhe bashkëpunimit partner me Bashkimin Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë, Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë të ndërtojë një institucion modern, profesional, efikas dhe të qëndrueshëm, që punon sipas standardeve evropiane, në shërbim të qytetarëve dhe në funksion të realizimit të qëllimit strategjik, anëtarësimit të plotë të Maqedonisë në Bashkimin Evropian.
