Prishtinë, 10 gusht, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka nënshkruar sot Marrëveshje Bashkëpunimi me Allianz Foundation dhe Autostrada Biennale, në kuadër të vazhdimit të partneritetit për zhvillimin socio-ekonomik përmes turizmit kulturor dhe zgjerimit të hapësirave kulturore.
Sipas Komunës së Prizrenit, marrëveshja shënon vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm dhe synon zbatimin e fazës së dytë të projektit “Zhvillimi socio-ekonomik përmes turizmit kulturor dhe zgjerimit të hapësirave kulturore”.
Ky partneritet synon të forcojë ofertën kulturore të Prizrenit, të zhvillojë turizmin kulturor dhe ekonominë kreative, si dhe të krijojë hapësira dhe programe të reja në fushën e kulturës dhe mjedisit.
Në kuadër të kësaj vizite, kryetari Totaj ka vizituar edhe ekspozitat më të reja të Autostrada Biennale, të cilat, sipas komunës, sjellin një tjetër dimension të artit bashkëkohor në hapësirat e qytetit.
“Do të vazhdojmë të investojmë në kulturë dhe art, si vlera që e pasurojnë Prizrenin dhe e bëjnë atë edhe më tërheqës për qytetarët dhe vizitorët”, ka theksuar Totaj.
Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur se përmes këtij bashkëpunimi synohet që kultura, arti dhe turizmi të shërbejnë edhe më tej si faktorë të zhvillimit të qytetit dhe ekonomisë lokale.
