Tottenham Hotspur po përgatitet për një verë me ndryshime të mëdha në repartin defensiv, ndërsa drejtuesit londinezë kanë identifikuar Gleison Bremer si objektivin kryesor për të zëvendësuar Cristian Romeron në rast të largimit të argjentinasit.
Sipas raportimeve të “Tuttosport”, Spurs janë të gatshëm të bëjnë një lëvizje konkrete për qendërmbrojtësin brazilian të Juventusit, i cili konsiderohet si një nga mbrojtësit më të mirë në Serie A.
Bremer ka një klauzolë lirimi prej 58 milionë eurosh në kontratën e tij me “Bianconerët”, por Tottenhami po kërkon një mënyrë për të ulur koston e transferimit. Për këtë arsye, klubi anglez po shqyrton mundësinë e përfshirjes së portierit Guglielmo Vicario në marrëveshje.
Një skenar i tillë mund të jetë interesant edhe për Juventusin, pasi gjiganti italian po kërkon të përforcojë pozitën e portierit për sezonin e ardhshëm dhe emri i Vicarios është përmendur ndër objektivat e mundshëm.
Megjithatë, sipas raportimeve nga Italia, prioriteti aktual i Juventusit për portën mbetet kampioni i botës me Argjentinën, Emiliano Martinez. Portieri i Aston Villas vazhdon të jetë zgjedhja e parë e drejtuesve bardhezinj, edhe pse realizimi i këtij transferimi nuk pritet të jetë i lehtë.
Nëse Romero largohet nga Londra gjatë kësaj vere, Tottenhami pritet të intensifikojë përpjekjet për Bremerin, duke e bërë brazilianin një nga objektivat kryesorë të merkatos së tyre.

