Trafik armësh dhe grup kriminal, Gjykata e Posaçme dënon tre të pandehur

Nga Xh M
689 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 3 qershor Zhurnal.mk – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë vendimin për një dosje që lidhet me trafikimin e armëve dhe municioneve në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas vendimit, Adulla Hoxhaj, Admir Tutaj dhe Bojken Turtulli u shpallën fajtorë për trafikim armësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, ndërsa Rifat Avdiaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Adulla Hoxhaj u dënua fillimisht me 13 vite burg për disa vepra penale, përfshirë trafikimin e armëve, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe mbajtjen pa leje të armëve e municioneve. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul me një të tretën dhe përfundimisht ai u dënua me 8 vite e 8 muaj burg.

Ndërkohë, Admir Tutaj dhe Bojken Turtulli u dënuan secili me nga 8 vite burg, pas përfitimit të uljes së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Në përfundim të procesit, gjykata vendosi konfiskimin e një arsenali të gjerë armësh dhe municionesh të sekuestruara në banesën e të pandehurit Adulla Hoxhaj më 1 gusht 2024. Ndër sendet e konfiskuara përfshihen pistoleta të markave të ndryshme, një automatik, silenciatorë, pajisje optike, si dhe veshje ushtarake.

Gjithashtu, gjykata ka urdhëruar që një sërë pasurish të luajtshme, përfshirë automjete të markave Volkswagen, Toyota, Audi dhe Volvo, si dhe një motoçikletë, të qëndrojnë në kuadër të hetimit financiar dhe pasuror në vazhdim.

Palët kanë të drejtë të ushtrojnë ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda një afati prej 15 ditësh, duke filluar nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër