Durrës, 15 gusht Zhurnal.mk – Policia e Durrësit ka finalizuar sot, 15 gusht, operacionin “Hallkat”, kundër trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova, me qëllim shitjen e tyre te grupet kriminale në Shqipëri.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 3 pistoleta, 34 fishekë luftarakë, një automjet dhe një armë e ftohtë.
Në Maminas është arrestuar në flagrancë një 34-vjeçar nga Kukësi, i cili dyshohet se transportonte armët me automjet. Në pranga ka rënë edhe një 39-vjeçare nga Prizreni, e cila akuzohet për moskallëzim të krimit. Armët dhe municioni u gjetën gjatë kontrollit të automjetit me të cilin ata po lëviznin. Sipas policisë, pistoletat dyshohet se ishin trafikuar nga Kosova.
Gjatë kontrollit në banesën e 34-vjeçarit u gjet edhe një dorezë hekuri, e cila u sekuestrua si provë materiale.
Hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në trafikimin e armëve. Materialet i janë referuar Prokurorisë.
