Dyseldorf, 02 tetor, Zhurnal.mk – Tre persona janë ndaluar në Gjermani nën dyshimin se po planifikonin një vepër që përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare.
Burime të sigurisë thanë se të dyshuarit dyshohet se kishin lidhje ideologjike me organizatën terroriste Shteti Islamik (ISIS).
Forcat speciale arrestuan dje në mbrëmje një shtetas gjerman dhe dy shtetas sirianë në qytetet Hagen dhe Unna.
Sipas burimeve të sigurisë, shërbimi i inteligjencës së brendshme të landit Nordrhein-Westfalen i kishte mbajtur nën vëzhgim tre personat që nga fillimi i këtij viti.
Të dyshuarit ishin vendosur nën një mbikëqyrje gjithnjë e më të rreptë, pasi autoritetet kishin konstatuar se ata po radikalizoheshin më tej.
Sipas burimeve, ata kishin shkëmbyer mes tyre plane për kryerjen e një sulmi.
Ndërsa planet e tyre po bëheshin më konkrete, shërbimet e inteligjencës ndanë informacionin me policinë, e cila më pas planifikoi ndalimin e tyre përpara se të mund të ndërmerrej ndonjë veprim.
Ministri i Brendshëm i Nordrhein-Westfalen, Herbert Reul, përshëndeti të premten bashkëpunimin mes institucioneve të sigurisë.
Ai tha se mekanizmi i sigurisë funksionon kur të gjitha hallkat bashkëpunojnë.
Sipas Reul, tre personat ishin “humbur në fantazitë për kryerjen e sulmeve“ dhe besonin se ishin të padukshëm për autoritetet.
