Tronditëse: Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare arrestohet në Francë për kokainë

Nga Xh M
854 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin sportiv shqiptar. Ish-futbollisti i njohur i Superiores dhe ish-lojtari i Kombëtares shqiptare, Olgerd Muka, është arrestuar nga autoritetet franceze në qytetin e Dizhonit, nën akuzën për shpërndarje dhe tregtim të lëndëve narkotike, konkretisht kokainë.

Sipas raportimeve të mediave franceze, 46-vjeçari ishte mbajtur nën vëzhgim nga policia për më shumë se dhjetë ditë. Operacioni përfundoi me arrestimin e tij në flagrancë, së bashku me një tjetër shtetas shqiptar, teksa dyshohet se po shpërndanin doza kokaine në një park të qytetit të Dizhonit.

Gjatë seancës para trupit gjykues, Muka ka pranuar faktet e paraqitura nga prokuroria dhe ka shpjeguar se u përfshi në këtë aktivitet të paligjshëm për shkak të vështirësive të rënda ekonomike. Ai ka deklaruar se kishte mbetur pa punë dhe se gjendja financiare e familjes e shtyu të merrte këtë rrugë.

Olgerd Muka ka qenë një nga mesfushorët e njohur të futbollit shqiptar në fund të viteve ’90 dhe në fillim të viteve 2000. Gjatë karrierës së tij ka veshur fanellat e Lushnjës, Teutës, Dinamos, Bylisit, Flamurtarit, Partizanit, Besës dhe Memaliajt, ndërsa në vitin 2002 debutoi me Kombëtaren shqiptare, duke regjistruar gjithsej dy paraqitje me fanellën kuqezi.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai tentoi të vazhdonte rrugën si trajner, por pa mundur të gjente stabilitet profesional. Tashmë, emri i tij është rikthyer në qendër të vëmendjes për një arsye krejtësisht të ndryshme, pasi përballet me akuza të rënda për trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike në Francë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër