Uashington, 24 prill, Zhurnal.mk – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se armëpushimi mes Izraeli dhe Libani do të zgjatet me tre javë, pas një raundi të ri bisedimesh mes përfaqësuesve të dy vendeve dje në Uashington, raportoi BBC.
Duke njoftuar vendimin në platformën “Truth Social”, Trump tha se takimi kishte shkuar shumë mirë, duke shtuar se SHBA-ja do të bashkëpunonte me Libanin për ta ndihmuar të mbrohej nga Hezbollahu.
Armëpushimi, i shpallur pas një takimi në Uashington javën e kaluar, ishte planifikuar të përfundonte të dielën dhe synon t’i japë fund luftimeve prej më shumë se shtatë javësh, mes Izraelit dhe Hezbollahut, i mbështetur nga Irani.
Në Zyrën Ovale, Trump bëri të ditur se presidenti libanez, Joseph Aoun dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu pritet të vizitojnë Shtëpinë e Bardhë në javët në vijim.
“Ne do të punojmë me Libanin për të stabilizuar situatën në vend. Mendoj se do të ishte një arritje e rëndësishme nëse kjo zgjidhet paralelisht me atë që po bëjmë me Iranin”, tha Trump.
Gjatë takimit në Zyrën Ovale, ambasadorja libaneze, Nada Hamadeh Moawad dhe ambasadori izraelit, Yechiel Leiter vlerësuan rolin e Trump në negociata.
Leiter theksoi se Izraeli dhe Libani ndajnë objektivin për të larguar ndikimin “negativ” të Hezbollahut nga territori libanez.
Ndërkohë, të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit.
Hezbollahu njoftoi se kishte lëshuar raketa drejt veriut të Izraelit si kundërpërgjigje ndaj një “shkeljeje izraelite”, ndërsa Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) deklaruan se i kishin interceptuar ato.
Një ditë më parë, Libani akuzoi Izraelin për krime lufte pas një sulmi ajror në jug të vendit që shkaktoi vdekjen e një gazetareje dhe plagosi një tjetër, akuza që u mohuan nga ushtria izraelite.
Takimi i javës së kaluar në Uashington shënoi kontaktin e parë të drejtpërdrejtë në nivel të lartë mes Izraelit dhe Libanit, në më shumë se tre dekada.
Sipas autoriteteve libaneze, të paktën 2 294 persona janë vrarë nga sulmet izraelite që nga fillimi i përshkallëzimit të fundit, përfshirë gra dhe fëmijë, ndërsa mbi 1 milion banorë janë zhvendosur.
Nga ana tjetër, sulmet e Hezbollahut kanë shkaktuar viktima edhe në Izrael, përfshirë civilë dhe ushtarë.
Hezbollahu, një organizatë shiite me rol politik dhe ushtarak në Liban, vazhdon të refuzojë çarmatosjen, pavarësisht presionit nga SHBA-ja, Izraeli dhe aktorë të brendshëm libanezë.
Presidenti Aoun ka theksuar se një proces i tillë mund të arrihet vetëm përmes negociatave dhe jo me forcë.
