Trump dhe Lula diskutojnë tregtinë dhe tarifat në Shtëpinë e Bardhë

Nga D. V.
436 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 8 maj, Zhurnal.mk – Presidenti brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva vlerësoi pozitivisht takimin e tij me presidentin amerikan Donald Trump, i zhvilluar dje në Shtëpinë e Bardhë, ku në fokus ishin marrëdhëniet tregtare dhe tarifat doganore mes dy vendeve.

Lula deklaroi se ishte i kënaqur nga bisedimet me Trump, duke theksuar se për të “nuk ka tema të ndaluara”.

“Të vetmet çështje që nuk janë për diskutim janë demokracia dhe sovraniteti ynë. Gjithçka tjetër është e negociueshme”, tha presidenti brazilian.

Gjithashtu, Lula tha se Trump kishte siguruar se SHBA-ja nuk kishte ndërmend të pushtonte Kubën, një mesazh që sipas Lula-s, iu përcoll përmes përkthyesit.

Presidenti brazilian e cilësoi këtë si një “sinjal të madh pozitiv”, duke shtuar se Kuba është e gatshme për dialog dhe kërkon një zgjidhje për t’i dhënë fund embargos.

Nga ana e tij, Trump deklaroi se takimi treorësh kishte shkuar “shumë mirë”. Në platformën e tij Truth Social, ai bëri të ditur se palët diskutuan për tregtinë, tarifat dhe çështje të tjera me interes të përbashkët, ndërsa përfaqësuesit e të dy vendeve pritet të vijojnë negociatat në muajt në vijim.

Marrëdhëniet mes Trump dhe Lula janë përmirësuar muajt e fundit, pas tensioneve të mëhershme të lidhura me procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro, një aleat i presidentit amerikan.

Gjykata Supreme e Brazilit e dënoi Bolsonaro me më shumë se 27 vite burg për një tentativë të dyshuar grushti shteti, pas humbjes në zgjedhjet presidenciale ndaj Lula-s.

Trump e kritikoi çështjen si politikisht të motivuar dhe në atë kohë vendosi tarifa 50% ndaj një sërë mallrash braziliane.

Në fund të nëntorit, SHBA-ja hoqi një pjesë të tarifave për eksportet braziliane të produkteve ushqimore, përfshirë mishin e viçit, kafenë dhe disa lloje frutash.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër