Uashington, 18 qershor, Zhurnal.mk – Presidenti amerikan, Donald Trump nënshkroi marrëveshjen paraprake me Iranin, për t’i dhënë fund luftës, duke nisur një periudhë 60-ditore negociatash, për një pakt përfundimtar, raportoi BBC.
Marrëveshja bazohet në 14 pika kryesore, të cilat përfshijnë edhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë detare me rëndësi strategjike për tregtinë globale të energjisë.
Sipas BBC, Irani ka arsye të ndihet i kënaqur me këtë marrëveshje, ndërsa për Izraelin ajo përbën një tjetër goditje ndaj besueshmërisë politike të kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Trump e ka mirëpritur marrëveshjen si një sukses të madh për SHBA-në, megjithëse mbeten ende çështje të rëndësishme për t’u zgjidhur, veçanërisht ajo që lidhet me programin bërthamor iranian.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi se SHBA-ja mund të rikthejë një “bllokadë të hekurt” ndaj Iranit, nëse Teherani nuk respekton angazhimet e marra dhe nuk heq dorë nga ambiciet për armë bërthamore.
Ndërkohë, operacionet ushtarake izraelite në Liban vazhdojnë të mbeten një pikë mosmarrëveshjeje me Uashingtonin.
Ushtria izraelite ka deklaruar se forcat e saj vazhdojnë të operojnë në jug të Libanit për shkak të “nevojave operative”, pavarësisht se memorandumi parashikon ndalimin e çdo veprimi të mëtejshëm armiqësor.
