Trump kërcënon BM-në me tarifa të larta për shkak të taksës digjitale ndaj kompanive amerikane

Nga D. V.
325 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Londër, 24 prill, Zhurnal.mk – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka kërcënuar se do të vendosë “tarifa të larta” ndaj Britanisë së Madhe, nëse Londra nuk heq taksën e saj ndaj shërbimeve digjitale që prek kompanitë amerikane të teknologjisë.

Taksa për shërbimet digjitale, e futur në vitin 2020, përcakton një tarifë prej 2% mbi të ardhurat e disa prej kompanive më të mëdha amerikane të teknologjisë.

“Ne e kemi shqyrtuar këtë çështje dhe mund ta përballojmë shumë lehtë duke vendosur thjesht një tarifë të lartë ndaj Britanisë së Madhe, kështu që ata duhet të kenë kujdes”, tha Trump duke folur dje në mbrëmje për gazetarët nga Zyra Ovale.

“Nëse nuk e heqin taksën, ka shumë gjasa që të vendosim një tarifë të madhe ndaj Britanisë së Madhe”, shtoi ai.

Taksa synon kompanitë që gjenerojnë mbi 500 milionë paund (673 milionë dollarë) të ardhura globale nga aktivitetet digjitale, nga të cilat më shumë se 25 milionë paund vijnë nga përdoruesit në Britaninë e Madhe.

Trump tha se këto ligje, të cilat prej kohësh kanë qenë burim tensioni në marrëdhëniet SHBA–Britania e Madhe, synojnë kompanitë më të mëdha në botë.

“Britania e Madhe e bëri këtë, edhe disa vende të tjera. Ata mendojnë se do të fitojnë lehtë para, prandaj po përfitojnë nga vendi ynë”, tha presidenti amerikan.

Taksa për shërbimet digjitale mbeti e pandryshuar në marrëveshjen tregtare SHBA–Britani e Madhe, të arritur në maj 2025, pavarësisht se ishte një çështje diskutimi.

Këto zhvillime vijnë disa muaj pasi SHBA-ja paralajmëroi vendosjen e tarifave të reja dhe kontrolleve të eksportit ndaj vendeve, që aplikojnë taksa digjitale ose rregullore që prekin gjigantët amerikanë të teknologjisë.

Disa vende evropiane, si Franca, Italia dhe Spanja gjithashtu, kanë vendosur taksa për shërbimet digjitale.

Në një postim në platformën “Truth Social” në gusht 2025, Trump u shpreh se do të përballej me vendet që sulmojnë kompanitë e jashtëzakonshme amerikane të teknologjisë.

“Taksa digjitale, legjislacioni për shërbimet digjitale dhe rregulloret e tregjeve digjitale janë të gjitha të dizajnuara për të dëmtuar ose diskriminuar teknologjinë amerikane,” shkroi ai në “Truth Social”, duke shtuar se kjo duhej të merrte fund.

Ai paralajmëroi se, nëse këto masa “diskriminuese” nuk hiqeshin, SHBA-ja do të vendoste tarifa shtesë të konsiderueshme ndaj eksporteve të vendeve përkatëse drejt tregut amerikan.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër