Uashington, 6 maj, Zhurnal.mk – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi dje në mbrëmje se “Project Freedom”, nisma për sigurimin e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, do të pezullohet “për një periudhë të shkurtër” – për të parë nëse mund të finalizohet dhe nënshkruhet një marrëveshje me Iranin.
Që nga fillimi i përplasjes mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit në fund të shkurtit, Teherani ka bllokuar praktikisht trafikun detar në ngushticë përmes kërcënimeve dhe sulmeve, ndërsa Uashingtoni ka vendosur një bllokadë detare ndaj anijeve që hyjnë apo dalin nga portet iraniane.
“Ndërsa bllokada e SHBA-së do të mbetet plotësisht në fuqi, “Project Freedom” do të pezullohet për një periudhë të shkurtër, për të parë nëse marrëveshja mund të finalizohet dhe nënshkruhet”, tha Trump në një postim në platformën e tij në “Truth Social”.
Presidenti amerikan shtoi se vendimi është marrë bazuar në kërkesën e Pakistanit dhe vendeve të tjera, suksesin e madh ushtarak gjatë fushatës kundër Iranit, si dhe progresin e madh drejt një marrëveshjeje të plotë dhe përfundimtare me përfaqësuesit iranianë.
Bisedimet mes Iranit dhe SHBA-së për shndërrimin e armëpushimit aktual në një marrëveshje të përhershme kanë ngecur, për shkak të mosmarrëveshjeve të thella mbi ambiciet bërthamore të Iranit dhe kontrollin e Ngushticës së Hormuzit.
Para konfliktit, rreth një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm (LNG) të tregtuar në botë kalonte përmes kësaj rruge kyçe.
Kthesë e shpejtë e administratës Trump
SHBA-ja njoftoi të hënën nismën për të ndihmuar anijet e bllokuara të kalonin nëpër ngushticë.
Sipas Uashingtonit, Irani u përgjigj me disa sulme, përfshirë ndaj forcave amerikane që po përpiqeshin të rivendosnin trafikun tregtar.
Njoftimi i Trump erdhi si surprizë, pasi më herët gjatë ditës si sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth, ashtu edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio promovuan nismën e re amerikane.
Rubio deklaroi se operacioni ushtarak amerikan kundër Iranit, i quajtur “Epic Fury”, ka përfunduar dhe se SHBA-ja po kalon tashmë në fazën “Project Freedom”.
“Operacioni ka mbaruar… e kemi përfunduar atë fazë”, tha ai, duke shtuar se objektivat janë arritur.
Trump njoftoi përfundimin e armiqësive në një letër drejtuar Kongresit të premten, në ditën kur përfundoi afati 60-ditor sipas “Rezolutës së Fuqive të Luftës”, që lejon presidentin të zhvillojë operacione ushtarake pa miratimin e Kongresit.
Në letër thuhej se nuk ka pasur luftime që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 7 prill dhe se armiqësitë që kishin nisur më 28 shkurt 2026 kishin përfunduar.
Frikë për përshkallëzim të ri
Aktualisht është në fuqi një armëpushim i brishtë mes SHBA-së dhe Iranit, të cilin e respekton edhe Izraeli. Megjithatë, tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit janë rritur së fundmi, duke shtuar frikën për një përshkallëzim të ri.
Trump paralajmëroi sërish Iranin për “asgjësim”, pasi Teherani sulmoi të hënën objekte të naftës në Emiratet e Bashkuara Arabe, si kundërpërgjigje ndaj nismës amerikane për rihapjen e ngushticës.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, paralajmëroi SHBA-në të mos vazhdojë me nismën, ndërsa Teherani këmbëngul për kontrollin e trafikut në ngushticë dhe synon që në të ardhmen anijet të paguajnë tarifë kalimi.
Sipas medias shtetërore iraniane, autoritetet po planifikojnë të forcojnë kontrollin përmes një sistemi të ri miratimi për anijet që kalojnë në këtë rrugë ujore.
Operatorët detarë do të marrin udhëzime me e-mail dhe duhet të marrin leje nga një autoritet iranian i quajtur “Autoriteti i Ngushticës së Gjirit Persik”.
Nuk është ende e qartë se çfarë do të përfshijnë rregullat apo si do të reagojë Irani ndaj shkeljeve, por televizioni shtetëror “Press TV” raportoi se mekanizmi tashmë është në funksion.
