Trump planifikon bisedime me presidentin e Tajvanit

Nga D. V.
183 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 21 maj, Zhurnal.mk – Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi dje në mbrëmje se planifikon të zhvillojë një bisedë me presidentin e Tajvanit, Lai Ching-te, duke rritur mundësinë e një kontakti të drejtpërdrejtë, që pritet të shkaktojë zemërim në Pekin, mes tensioneve për shitje të reja të mundshme armësh amerikane ndaj Tajvanit.

I pyetur nga gazetarët nëse kishte ndërmend t’i telefononte Lai përpara se të vendoste për furnizime të tjera ushtarake për Tajvanin, Trump u përgjigj: “Do të flas me të. Unë flas me të gjithë”.

“Ne e kemi nën kontroll situatën. Patëm një takim të shkëlqyer me presidentin kinez, Xi Jinping. Ishte vërtet i jashtëzakonshëm. Shumë prej jush ishin aty. Do të punojmë për këtë, për çështjen e Tajvanit”, shtoi ai.

Një bisedë e drejtpërdrejtë mes një presidenti në detyrë të SHBA-së dhe një lideri tajvanez do të përbënte një shkëputje nga dekada të tëra të praktikës diplomatike.

Uashingtoni njohu zyrtarisht Pekinin në vitin 1979, duke ndërprerë njohjen diplomatike të Tajvanit, dhe që prej asaj kohe nuk ka pasur asnjë telefonatë të njohur publikisht, mes liderëve në detyrë të SHBA-së dhe Tajvanit.

Megjithatë, SHBA-ja ka ruajtur lidhje jozyrtare me Tajvanin dhe ka mbështetur kapacitetet mbrojtëse të ishullit, kryesisht përmes shitjeve të armëve.

Deklarata e Trump vjen në një moment tensionesh, lidhur me një paketë të re të mundshme armësh amerikane për Tajvanin, me vlerë deri në 14 miliardë dollarë.

Kina e konsideron Tajvanin, i cili vetëqeveriset në mënyrë demokratike, pjesë të territorit të saj dhe kundërshton fuqishëm kontaktet zyrtare mes Taipeit dhe qeverive të huaja.

Gjatë vizitës së Trump në Pekin javën e kaluar, Xi theksoi se mënyra e trajtimit të çështjes së Tajvanit do të ishte vendimtare për stabilitetin e marrëdhënieve SHBA-Kinë.

Trump deklaroi më vonë, gjatë kthimit nga Pekini, se dëshironte të bisedonte me Lai.

Duke reaguar ndaj raportimeve se Trump mund të angazhohej drejtpërdrejt me udhëheqjen tajvaneze, Lai tha se do të theksonte se paqja dhe stabiliteti në Ngushticën e Tajvanit janë thelbësore për sigurinë dhe prosperitetin rajonal, ndërsa akuzoi Kinën si burimin kryesor të paqëndrueshmërisë për shkak të manovrave të saj të vazhdueshme ushtarake.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër