Trump zgjeron “TrumpRx” me mbi 600 ilaçe gjenerike për të ulur kostot e barnave

Nga D. V.
412 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 19 maj, Zhurnal.mk – Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi dje në mbrëmje zgjerimin e madh të platformës “TrumpRx”, duke shtuar mbi 600 barna gjenerike në faqen qeveritare të barnave me çmime të reduktuara, në një përpjekje për të lehtësuar barrën financiare të amerikanëve për kujdesin shëndetësor, raportoi AP.

Sipas presidentit, zgjerimi e rrit ofertën e platformës gati shtatë herë krahasuar me hapjen e saj në shkurt, kur “TrumpRx” u prezantua me rreth 40 barna, përfshirë medikamente të njohura për humbje peshe si “Ozempic” dhe “Wegovy”.

Trump e cilësoi nismën si arritjen më të madhe në uljen e kostove të kujdesit shëndetësor në historinë moderne, duke theksuar se faqja është vizituar mbi 10 milionë herë që nga lançimi i saj.

Zgjerimi është mundësuar përmes bashkëpunimit me kompani të mëdha farmaceutike online, përfshirë “Amazon Pharmacy”, “GoodRx” dhe “Cost Plus Drugs”, në pronësi të investitorit miliarder Mark Cuban.

“TrumpRx” nuk shet drejtpërdrejt barna, por orienton përdoruesit drejt faqeve të prodhuesve ose ofron kuponë për përdorim në farmaci.

Administrata e paraqet si alternativë ndaj kritikave të demokratëve, të cilët e kanë quajtur platformën më shumë simbolike sesa efektive, duke argumentuar se shumë barna të markave janë më të lira përmes sigurimeve ose versioneve të tjera gjenerike.

Ekspertët paralajmërojnë se kursimet reale varen nga situata individuale e pacientit.

Për shumicën e qytetarëve me sigurim shëndetësor, pagesa përmes mbulimit ekzistues mbetet zakonisht më e leverdishme, ndërsa personat pa sigurim ose me deduktim të lartë mund të përfitojnë më shumë nga zbritjet e “TrumpRx”.

Nisma vjen ndërsa kostot e kujdesit shëndetësor mbeten një shqetësim kryesor për votuesit përpara zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, veçanërisht pas shkurtimeve të fundit në “Medicaid” (programi qeveritar që ofron sigurim shëndetësor për të rriturit dhe fëmijët me të ardhura dhe burime të kufizuara) dhe përfundimit të subvencioneve të zgjeruara të “Affordable Care Act”(Akti i Kujdesit të Përballueshëm (ACA).

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër