Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka dhënë një sinjal të qartë se Jude Bellingham mund të jetë kapiteni i përhershëm i “Tre Luanëve” në të ardhmen, pas fitores 2-0 ndaj Çekisë në Ligën e Kombeve.
Mesfushori i Real Madridit mori shiritin e kapitenit nga Harry Kane në minutën e 71-të, kur u aktivizua në vend të sulmuesit.
Një situatë e ngjashme ishte parë edhe në fundin e humbjes ndaj Spanjës, kur Bellingham mori shiritin nga Kane.
“Nëse je kapiten në fund të këtyre ndeshjeve, atëherë sigurisht që mund të jesh kapiteni i përhershëm”, deklaroi Tuchel.
Trajneri gjerman zbuloi gjithashtu se kishte diskutuar me Bellinghamin për rolin e tij në ekip dhe vlerësoi gatishmërinë e 23-vjeçarit për të kontribuar edhe kur nuk është në fushë.
“Mendoj se ai e pëlqen të jetë me ne për momentin, të paktën kështu e ndiej. Sot patëm një bisedë të shkurtër për rolin e tij. Të dy e kishim atë ndjesinë se donim të vazhdonim dhe të nisnim përsëri, por më pas të dy menduam se ndoshta 30 minuta ishin të mjaftueshme për sot”, u shpreh ai.
Tuchel shpjegoi se Bellingham nuk ishte aktivizuar në një ritëm të tillë ndeshjesh gjatë këtij sezoni dhe për këtë arsye nuk dëshironin të merrnin rrezik me të.
“Ai e ka bërë këtë më parë, por jo gjatë këtij sezoni, ndaj nuk donim të ishim të parët që do ta provonim. Megjithatë, edhe në këtë paraqitje të shkurtër mund ta shihni se ai është i sigurt në vete dhe i lumtur që të ndihmojë ekipin edhe nga banka”, shtoi Tuchel.
“Pra, po, është një shpërblim t’i japësh shiritin e kapitenit. Është diçka e mirë”, përfundoi trajneri i Anglisë.
Megjithatë, Tuchel dha edhe një lajm shqetësues për gjendjen e Bellinghamit. Ai bëri të ditur se mesfushori pati një shqetësim fizik në fund të ndeshjes, por shpreson që të mos bëhet fjalë për diçka serioze.
“Ai pati një shqetësim të vogël në fund të ndeshjes. Shpresojmë që të mos jetë asgjë serioze dhe që të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Kroacisë”, deklaroi Tuchel.



