42 kilometra për 2 orë, 35 minuta e 35 sekonda, Luiza Gega triumfon në Maratonën e Tiranës

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Luiza Gega është shpallur fituese e garës së maratonës për femra, në distancën prej 42 kilometrash, në edicionin e dhjetë të Maratonës së Tiranës.

Atletja shqiptare e përfundoi garën me kohën 2 orë, 35 minuta e 35 sekonda, duke siguruar vendin e parë dhe çmimin prej 5 mijë eurosh.

Ky edicion i Maratonës së Tiranës ka mbledhur rreth 5,800 pjesëmarrës. Risia e këtij viti ishte përfshirja e garës prej 5 kilometrash, me synimin për të nxitur pjesëmarrjen e më shumë qytetarëve.

Për mbarëvajtjen e aktivitetit janë angazhuar rreth 600 vullnetarë, 800 punonjës policie dhe 500 punonjës të Bashkisë së Tiranës, ndërsa përgatitjet për organizimin kanë zgjatur rreth gjashtë muaj.

Maratona nisi në orën 08:00, ndërsa për shkak të zhvillimit të garës, një pjesë e akseve kryesore të kryeqytetit do të qëndrojnë të bllokuara deri në orën 16:00.

Mes rrugëve të prekura nga kufizimet janë Unaza e Vogël, bulevardi “Zogu i Parë”, Bulevardi i Ri, segmenti nga sheshi “Skënderbej” deri te sheshi “Nënë Tereza”, Rruga e Kavajës, Rruga e Durrësit, “Myslym Shyri” dhe disa akse në zonën e ish-Bllokut.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër