Tiranë, 10 gusht, Zhurnal.mk – Qyteti bregdetar i Durrësit vijon të mbetet një ndër zgjedhjet e preferuara për turistët e huaj që zgjedhin të kalojnë pushimet verore në vendin tonë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video me përshtypjet e pushuesve nga e gjithë bota që po i kalojnë këto ditë të nxehta vere në bregdetin e Adriatikut.
Rama u shpreh se Durrësi mbetet një prej destinacioneve të preferuara të pushuesve vendas dhe të huaj, ku deti, historia, kultura dhe mikpritja shqiptare krijojnë një përvojë të veçantë për çdo vizitor.
Në videon e publikuar, vizitorë nga Gjermania, Holanda, Anglia, Republika Çeke, Italia dhe vende të tjera shprehen pozitivisht për bregdetin, klimën, mikpritjen dhe çmimet në Durrës.
“Është plazh i madh. Është shumë nxehtë, por na pëlqen të jemi këtu, është relaksuese”, shprehet një prej turistëve.
Të tjerë vlerësojnë vijën bregdetare dhe klimën e qytetit, duke e cilësuar Durrësin një destinacion të përshtatshëm për pushime.
“Më ka lënë një shije të mirë Durrësi, moti është shumë i mirë, plazhi më pëlqen shumë dhe njerëzit janë miqësorë”, shprehet një tjetër vizitor.
Në dëshmitë e tyre, turistët veçojnë edhe mikpritjen shqiptare dhe çmimet, të cilat i konsiderojnë të arsyeshme krahasuar me destinacione të tjera.
“Qytetarët këtu janë shumë miqësorë. Ushqimi është i mirë dhe i lirë, kjo është perfekte”, shprehet një turist, ndërsa një tjetër thekson se çmimet janë të favorshme dhe njerëzit janë të sjellshëm dhe të gatshëm për të ofruar ndihmë.
Për disa prej tyre, Durrësi është një alternativë e mirë për t’i shpëtuar temperaturave të larta dhe për të shijuar detin, ndërsa krahasojnë klimën shqiptare me atë të vendeve nga vijnë.
“Është vendi perfekt për të kaluar këtë të nxehtë, krahasuar me Anglinë që për momentin është pak ftohtë”, shprehet një vizitor nga Londra.
Në fund, turistët shprehen se do t’ua rekomandonin Shqipërinë miqve dhe familjarëve të tyre, ndërsa disa prej tyre premtojnë se do të rikthehen sërish.
“Patjetër që do t’ua sugjeroja miqve që të vizitojnë Shqipërinë. Do t’ua këshilloja miqve të mi të vijnë këtu, merrni edhe familjet tuaja. Do të vijmë përsëri. Unë do të thoja: eja në Shqipëri”, shprehet një prej tyre.
