Ankara, 19 nëntor Zhurnal.mk – Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka njoftuar se avioni i parë luftarak pa pilot i Turqisë, Bayraktar Kızılelma, i është shtuar inventarit të Forcave të Armatosura Turke, pas përfundimit me sukses të testeve të pranimit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Erdogan e cilësoi këtë zhvillim si një ditë historike dhe rezultat të viteve të tëra pune e përpjekjesh. Ai shprehu besimin se pajisja e ushtrisë me këtë avion do të kontribuojë në arritjet e mëtejshme të saj.
“Unë besoj se ushtria jonë e lavdishme do të shkojë nga fitorja në fitore me Bayraktar Kızılelma dhe uroj që ky zhvillim krenar të jetë i mbarë dhe i suksesshëm”, shkroi Erdogan.
Në njoftimin e kompanisë Baykar bëhet e ditur se Kızılelma është një projekt kombëtar, i zhvilluar tërësisht me burimet dhe teknologjinë e vetë kompanisë. Pas përfundimit me sukses të testeve të pranimit, avioni ka kaluar një tjetër fazë të rëndësishme drejt përdorimit nga Forcat e Armatosura Turke.
Zhvillimi i projektit nisi në vitin 2021, kur më 20 korrik u prezantuan për herë të parë pamjet e projektimit konceptual të avionit. Më 12 mars 2022 ai hyri në linjën e prodhimit, ndërsa fluturimin e parë e realizoi me sukses më 14 dhjetor të po atij viti, duke tejkaluar edhe objektivin e kompanisë për vitin 2023.
Më 24 prill 2023, Kızılelma realizoi një fluturim të përbashkët pranë avionit pa pilot AKINCI. Gjithashtu, gjatë panairit TEKNOFEST në Stamboll, nga 27 prilli deri më 1 maj 2023, ai demonstroi aftësitë e tij në fluturime pranë avionëve luftarakë të pilotuar SOLOTÜRK dhe Turkish Stars.

