Ukraina, 35 vite e pavarur: Miloshoski nga Kuvendi bëri thirrje për solidaritet, dialog dhe paqe të qëndrueshme

Nga D V
525 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 gusht, Zhurnal.mk – „Liria respektohet. Pavarësia mbrohet. Ndërsa të ardhmen e krijojnë ata që refuzojnë të heqin dorë prej saj“, porositi nënkryetari i Kuvendit, Antonio Miloshoski, në sesionin e posaçëm të Grupit Ndërpartiak Parlamentar për mbështetje të Platformës së Krimesë, kushtuar shënimit të 35‑vjetorit të pavarësisë së Ukrainës.

Duke folur për këmbënguljen e popullit ukrainas dhe për luftën e tij për liri dhe pavarësi, Miloshoski theksoi se përcaktimi i Ukrainës për të ardhmen e vet është i rrënjosur thellë në histori dhe se e drejta e çdo populli për të përcaktuar vetë të ardhmen e tij duhet të respektohet.

„Çdo popull ka të drejtë të përcaktojë vetë të ardhmen e tij dhe të jetojë në paqe dhe siguri“, porositi Miloshoski, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të së drejtës ndërkombëtare në kushte të sfidave serioze të sigurisë në kontinentin evropian.

Nënkryetari i Kuvendit theksoi solidaritetin me Ukrainën, duke nënvizuar se mbështetja nuk është vetëm politike, por mbi të gjitha njerëzore.

„Ky vend qëndron në solidaritet me popullin ukrainas. Me popullin vëllazëror ukrainas. Mbështetja jonë nuk është vetëm politikë, ajo është mbi të gjitha edhe njerëzore“, tha Miloshoski.

Ai kujtoi se lufta lë pasoja të thella mbi familjet, fëmijët dhe komunitetet, por edhe mbi gjeneratat e ardhshme, prandaj, siç theksoi, angazhimi diplomatik dhe dialogu duhet të marrin vend qendror në përpjekjet për arritjen e paqes së qëndrueshme dhe të drejtë.

„Paqja nuk do të thotë vetëm ndërprerje e konfliktit, por krijim kushtesh që Ukraina të mund të ndërtojë të ardhmen e saj lirshëm, të sigurt dhe me dinjitet“, porositi ai.

Miloshoski theksoi se Maqedonia e Veriut, si vend që ka zgjedhur rrugën evropiane, e kupton rëndësinë e solidaritetit, partneritetit dhe veprimit të përbashkët.

„Do të vazhdojmë të jemi partner i besueshëm dhe të kontribuojmë në përpjekjet për stabilitet, paqe dhe siguri në Evropë“, tha ai.

Në këtë kontekst, ai nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për Ukrainën dhe të përpjekjeve të përbashkëta evropiane dhe ndërkombëtare për siguri dhe paqe.

Në fjalimin e tij, Miloshoski u referua edhe te Taras Shevchenko – një nga poetët më të rëndësishëm ukrainas dhe simbol i kulturës, gjuhës dhe luftës për liri të Ukrainës.

Më 24 gusht 1991, Ukraina shpalli të drejtën e saj për pavarësi, ndërsa sot, pas 35 vitesh, ky ideal ka edhe më shumë peshë si përcaktim që Ukraina të ekzistojë si shtet i pavarur dhe i lirë.

„Mesazhi ynë sot është i thjeshtë dhe i qartë: qëndrojmë me Ukrainën dhe me popullin ukrainas dhe dëshirojmë që sa më shpejt të vijë dita kur paqja, liria dhe siguria do të jenë përsëri realitet për të gjithë qytetarët e Ukrainës“, porositi Miloshoski.

Shënimi i 35‑vjetorit të pavarësisë së Ukrainës në Kuvend ishte në shenjë të solidaritetit me popullin ukrainas, respektimit të së drejtës së tij për pavarësi dhe mbështetjes për një të ardhme paqësore, të sigurt dhe të lirë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër