Uranija Pirovska: Dalibor Kitanoviq nuk guxon të ushtrojë asnjë funksion dhe duhet të përgjigjet sipas Kodit Penal

Nga Xh M
1,487 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 gusht Zhurnal.mk – Kritika të ashpra ndaj Dalibor Kitanoviqit sot ka drejtuar Uranija Pirovska, drejtoreshë ekzekutive e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Sipas saj, Kitanoviqi duhet të mbajë përgjegjësi në bazë të nenit 407-a të Kodit Penal.

Në një postim në Facebook, Pirovska thekson se Qeveria nuk duhet t’i lërë hapësirë Kitanoviqit që ta tërheqë deklaratën e tij për Ratko Mlladiqin, por duhet të veprojë në përputhje me ligjin.

“Qeveria i lë drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve hapësirë për të vendosur nëse do ta tërheqë publikisht qëndrimin e shprehur për Ratko Mlladiqin apo të japë dorëheqje??? Dalibor Kitanoviqi duhet të përgjigjet sipas nenit 407-a të Kodit Penal! Që absurdi të jetë edhe më i madh, ai ushtron funksionin e drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve! Këtu nuk ka hapësirë për vendimmarrjen e tij. Një person me qëndrime të tilla nuk duhet dhe nuk guxon të jetë në asnjë funksion, e aq më pak në atë që ushtron aktualisht”, shkruan Pirovska.

Kritikat vijnë pasi drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, dje në Instagram, pas vdekjes së Ratko Mlladiqit, publikoi një mesazh në të cilin e glorifikonte kriminelin e dënuar të luftës.

Qeveria sot kërkoi që Kitanoviqi ose ta tërheqë qëndrimin e tij, ose të largohet nga funksioni.

“Qëndrimi i Kitanoviqit është qëndrim i tij personal dhe si i tillë është i papranueshëm për Qeverinë. Qeveria i ndërton qëndrimet në bazë të interesit të shtetit dhe qytetarëve. Kur një qëndrim i tillë është ndërtuar, ai respektohet nga të gjithë individët në Qeveri”, deklaruan nga Qeveria.

Nga atje shtuan se do t’i kërkojnë Kitanoviqit ta tërheqë qëndrimin e tij, ndërsa nëse nuk pajtohet me politikat e Qeverisë, presin që ai të largohet nga pozita që ushtron.

Ndërkohë, nga LSDM sot kërkuan që Prokuroria Publike të veprojë lidhur me glorifikimin e Ratko Mlladiqit nga funksionarë të Qeverisë.

“Prokuroria Publike duhet të përcaktojë përgjegjësinë për glorifikimin e Ratko Mlladiqit nga Ivan Stoilkoviqi, partia e tij dhe Dalibor Kitanoviqi. Neni 407-a i Kodit Penal parashikon përgjegjësi për miratimin ose justifikimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit ose krimeve të luftës. Çfarë po pret Prokuroria Publike? Thirrje nga Mickoski?”, deklaroi sot Keti Shterjova nga LSDM.

Kritika të ashpra ndaj Qeverisë ka adresuar edhe partia “Nova Republika” e Ivon Velichkovskit.

Nga partia thonë se nëse kryeministri nuk i shkarkon ministrin e Vetëqeverisjes Lokale dhe funksionarët që e glorifikojnë Ratko Mlladiqin, atëherë, sipas tyre, Qeveria po e mbështet glorifikimin e gjenocidit.

“Një Qeveri e tillë nuk është as evropiane, as maqedonase. Maqedonia e Veriut e ka mbështetur Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë. Me këtë, përgjegjësit për Srebrenicën i konsideron kriminelë lufte. Nëse kryeministri nuk i shkarkon të gjithë ministrat dhe funksionarët që glorifikojnë një kriminel lufte, kjo do të thotë se pajtohet me ta, ndërsa qëndron kundër qëndrimit të shtetit të Maqedonisë së Veriut”, deklaruan nga “Nova Republika”.

Ata shtuan se në Srebrenicë është kryer gjenocid dhe krim kundër njerëzimit.

“Mickoski, në emër të Qeverisë, vendos nëse qeveria e tij është me viktimat e gjenocidit apo me zbatuesit e tij. Mickoski, në emër të VMRO-DPMNE-së, vendos nëse kjo parti do të vazhdojë të koalicionojë me parti dhe persona që mbështesin gjenocidin apo do të distancohet prej tyre”, thuhet në reagimin e “Nova Republika”.

Partia thekson se deri në shkarkimin e funksionarëve qeveritarë që glorifikojnë Mlladiqin, sipas propozimit të kryeministrit ose deputetëve të VMRO-DPMNE-së, do ta konsiderojë VMRO-DPMNE-në, funksionarët e saj dhe partnerët e koalicionit si persona që nuk e dënojnë gjenocidin në Srebrenicë dhe që janë në funksion të politikave që kanë zbatuar krime kundër njerëzimit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër