Vardari duhet të ruhet për të ardhmen

Nga Xh M
28 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 shtator Zhurnal.mk – Kanë nisur konsultimet publike për hartimin e planit të parë për menaxhimin e pellgut të lumit Vardar, duke përfshirë institucionet, sektorin e biznesit dhe organizatat e shoqërisë civile në këtë proces. Qytetarët dhe komuniteti profesional gjatë gjashtë muajve të ardhshëm do të mund të japin kontributin dhe rekomandimet e tyre përmes një pyetësori online.

Qëllimi kryesor është mbrojtja e ekosistemit dhe parandalimi i ndotjes së mëtejshme të pellgut të Vardarit, i cili përfshin mbi 80 për qind të trupave ujorë në vend. Pritet që dokumenti përfundimtar të miratohet deri në fund të vitit 2027, me mbështetjen e Programit zviceran për ujërat.

Në dy javët e fundit janë mbajtur takime konsultative në Shkup, Tetovë, Shtip dhe Manastir, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të komunave, ndërmarrjeve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe kompanive private. Qëllimi i këtij procesi, i udhëhequr nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, është që të gjitha palët e interesuara të përfshihen në krijimin e politikave për menaxhimin dhe përdorimin e burimit më të rëndësishëm ujor në vend.

“Qëllimi ynë i përbashkët është që ky plan për menaxhimin e pellgut të lumit Vardar të pasqyrojë nevojat reale të të gjitha palëve të interesuara, por në të njëjtën kohë të sigurojë mbrojtje të qëndrueshme dhe efikase të burimeve ujore në vend. Pikërisht për këtë arsye, i gjithë procesi përfshin një proces shkencor, përkatësisht monitorimin e cilësisë dhe sasisë së ujërave, të cilin e zbaton Enti Hidrometeorologjik, por edhe një proces konsultativ përmes të cilit do të dëgjohet zëri i komunitetit shkencor, ekologëve, bujqve, bizneseve dhe komuniteteve lokale”, informuan nga Sektori i Ujërave në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, i cili udhëheq këtë proces.

Marko Guçeski nga organizata qytetare “EkoSvest”, i cili mori pjesë në takimin konsultativ në Shkup, theksoi se plani për menaxhimin e pellgut të Vardarit duhet të miratohet sa më shpejt dhe t’u nënshtrohet konsultimeve me të gjitha palët e interesuara, në përputhje me procedurat e përcaktuara me ligj.

“Është me rëndësi të madhe të krijohet një këshill për menaxhimin e zonës së pellgut të lumit Vardar, si një trup ndërinstitucional që do të monitorojë zbatimin e planit. Ky plan është bazë për parandalimin e ndotjes dhe degradimit të mëtejshëm të lumit Vardar, i cili duhet të mbrohet jo vetëm si burim ujor, por edhe si ekosistem”, tha Guçeski.

Procesi zhvillohet me mbështetjen e Programit zviceran për menaxhimin, përdorimin dhe mbrojtjen e ujërave, i cili mundësoi edhe përgatitjen e raportit të përkohshëm për çështjet e rëndësishme që lidhen me menaxhimin e ujërave në pellgun e Vardarit. Ky dokument identifikon faktorët kryesorë që ndikojnë në cilësinë dhe sasinë e ujërave në pellgun e Vardarit, por përmban edhe masa për përmirësimin e gjendjes.

“Ky plan për menaxhimin e ujërave është jashtëzakonisht i rëndësishëm, duke pasur parasysh se pellgu i Vardarit përfshin mbi 80 për qind të të gjitha trupave ujorë në vend. Programi për ujërat mbështet institucionet kombëtare në zbatimin e procesit në përputhje me Direktivën Kuadër për Ujërat të Bashkimit Evropian dhe në përgatitjen e një dokumenti gjithëpërfshirës që do të mundësojë përdorimin racional, të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm të burimeve ujore”, theksoi Nikolla Zdraveski nga Programi për menaxhimin, përdorimin dhe mbrojtjen e ujërave.

Procesi i konsultimeve publike do të zgjasë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, ndërsa në të mund të përfshihen të gjithë qytetarët përmes plotësimit të një pyetësori online për rreziqet kryesore dhe rekomandimet për tejkalimin e tyre.

Pas përfundimit të konsultimeve do të nisë përgatitja e planit të parë për menaxhimin e pellgut të lumit Vardar, i cili pritet të miratohet deri në fund të vitit 2027.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër