Shkup, 10 shtator, Zhurnal.mk – Deputeti nga radhët e VMRO‑DPMNE, Aleksandar Veljanovski, sot doli me kërkesë që Prokuroria Publike ta hetojë raportin e auditimit të Drejtorisë së Shtetit për Revizion (DZR) për ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10d.
Sipas raportit të auditimit, për projektin me gjatësi prej 108 kilometrash dhe vlerë të vlerësuar prej 1,3 miliardë euro, deri më dhjetor 2023 vetëm 0,12% e shpenzimeve kanë qenë për ndërtim faktik, gjë që vërehet si devijim serioz nga dinamika e planifikuar.
Veljanovski theksoi se auditorët kanë konstatuar edhe dobësi në menaxhimin e investimeve kapitale, si dhe pagesë të provizioneve milionëshe për mjete të papërdorura.
“Si është menaxhuar një projekt me vlerë mbi 1,3 miliardë euro, nëse deri në fund të vitit 2023 vetëm 0,12% e shpenzimeve kanë qenë për ndërtim? Ku dhe për çfarë janë shpenzuar paratë? Pse është vonuar realizimi? Kush ka qenë i ngarkuar të kontrollojë dinamikën dhe shpenzimin e mjeteve? Dhe pse shteti ka paguar provizione milionëshe ndërkohë që mjetet kanë mbetur të papërdorura, ndërsa projektet janë vonuar?”, pyeti Veljanovski.
Ai shtoi se sot ka përparim të dukshëm në terren në segmentet Tetovë–Gostivar, Gostivar–Bukojçani dhe Prilep–Bitola, duke theksuar se në Gostivar–Bukojçani përparimi arrin pothuajse 60 për qind.
Megjithatë, sipas deputetit, ndërtimi aktual nuk e fshin përgjegjësinë e mëparshme.
“Prandaj kërkojmë që Prokuroria Publike të reagojë dhe ta hetojë raportin e auditimit të DZR. Të shqyrtojë marrëveshjen, pagesat, provizionet dhe dinamikën e realizimit, dhe të konstatojë kush ka marrë vendime dhe kush ka qenë përgjegjës për menaxhimin dhe kontrollin e projektit”, theksoi Veljanovski.
