Vengu: Shqipëria do të prodhojë anije ushtarake

nga D. V.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu u shpreh sot se Shqipëria, pas kontratës së nënshkruar mes kompanisë shtetërore “KAYO” dhe kompanisë italiane “Fincantieri”, gjatë mbledhjes së dy qeverive në Itali do të prodhojë anije ushtarake.

Ministri Vengu e bëri këtë deklaratë gjatë një interviste televizive, duke zbuluar edhe detaje rreth marrëveshjeve që u firmosën në fushën e mbrojtjes, në mbledhjen e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane në Romë.

Ai tha se nga 16 marrëveshje të nënshkruara në Itali, tetë lidhen me fushën e mbrojtjes, industrisë ushtarake dhe mbrojtjes civile.

Vengu pohoi se kompania shtetërore “KAYO”, e cila është përgjegjëse për prodhimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake sipas një kontrate të nënshkruar me kompaninë italiane, “Fincantieri”, do të prodhojë anije ushtarake.

“Prej tri dekadash kjo është hera e parë që rinovojmë partneritetin ushtarak me Italinë, për shumë arsye brenda NATO-s, për arsye të industrinë ushtarake që duam të kemi në fokus nga të dyja brigjet e Adriatikut. Kemi dy marrëveshje që nënshkruhen mes kompanisë shtetërore “KAYO” dhe gjigantit italian “Fincantieri” për prodhimin e anijeve ushtarake dhe jo vetëm në Pashaliman. Kjo është një arritje domethënëse e mbledhjes mes dy qeverive. Një marrëveshje tjetër mes “KAYO-s” dhe një kompanie tjetër italiane “Leonardo”, e specializuar në teknologjinë ushtarake, mbrojtjen kibernetike me fokus të veçantë në tryezën e dy kryeministrave”, cilësoi Vengu.

Ministri Vengu u shpreh se Italia do të asistojë palën shqiptare edhe për përmirësimin e kapaciteteve të Mbrojtjes Civile.

“Dhe vijmë edhe me një mbështetje domethënëse sa i përket Mbrojtjes Civile, ku kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me palën italiane. Këtë partneritet duam ta çojmë në një nivel edhe më të lartë me krijimin e të gjitha sistemeve të paralajmërimit të hershëm, të stërvitjes dhe të gjithë sistemit të qëndrueshmërisë së Emergjencave Civile në vendin tonë, dhe krijimin e detyrimit që buron nga BE për të pasur edhe ne numrin europian 112, ku të gjithë qytetarët apo vizitorët mund t’i referohen për çdo emergjencë që mund të kenë”, tha ministri i Mbrojtjes.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More