Hapet qarkullimi në njërën korsi në aksin Librazhd-Qafë Thanë

Nga B.M
627 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Pas rreth tetë orësh bllokimi, është hapur lëvizja me një korsi në aksin rrugor Librazhd-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII, nyja kryesore lidhëse e juglindjes së vendit me Tiranën.

Bllokimi u shkaktua nga shembja e një masivi të madh shkëmbor pranë fshatit Dragostunjë, çka la të bllokuar në rrugë mijëra qytetarë për disa orë. Fatmirësisht, nga ky incident nuk u raportuan persona të lënduar.

Segmenti ku ndodhi rrëshqitja është aktualisht pjesë e punimeve për hapjen e gjurmës së re të Korridorit VIII, në kuadër të projektit të zgjerimit të rrugës.

Sipas ekspertëve të pavarur, ndërhyrjet e pastudiuara në shpatin e malit mund të kenë ndikuar në shembjen masive. Megjithatë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka mohuar që punimet të jenë shkaku i incidentit, duke ia atribuar situatën motit të keq dhe reshjeve.

Ekipet e ndërhyrjes punuan për orë të tëra në terren, duke kryer shembjen e kontrolluar të faqes së malit, me qëllim eliminimin e çdo rreziku të mëtejshëm për qarkullimin e mjeteve.

Gjatë kohës së bllokimit, gra, fëmijë dhe të moshuar u detyruan të qëndrojnë për orë të tëra në trafik, ndërsa policia rrugore rekomandoi përdorimin e aksit alternativ Maliq-Lozhan-Moglicë-Gramsh-Elbasan për drejtuesit e mjeteve që udhëtonin drejt Tiranës.

Bllokimi i këtij aksi përkoi me ditën e diel, kur fluksi i lëvizjes është i shtuar për shkak të kthimit të qindra pushuesve nga juglindja e vendit, duke e rënduar edhe më tej situatën në qarkullim.

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër