Shkup, 25 mars, Zhurnal.mk – Në Gjykatën e Idrizovës sot vazhdon procesi gjyqësor për zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku jetën e humbën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë mbetën të plagosur.
Në seancën e sotme pritet të dëgjohen tre dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria Publike – Dragi Ilievski, Dejan Rashkov dhe Violeta Georgievska, të gjithë nga Komuna e Koçanit, transmeton zhurnal.mk.
Sipas procedurës, mbrojtja e të pandehurve duhet të deklarohet nëse e pranon tërheqjen e një pjese të dëshmitarëve nga ana e Prokurorisë, pasi kjo e fundit në seancën paraprake ka dorëzuar listë me emra që synon t’i përjashtojë nga procesi, me arsyetimin se rrethanat përkatëse tashmë janë vërtetuar përmes dëshmive të tjera.
Në seancën e fundit, dëshmitari Zhivko Stavrevski nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim deklaroi se deri në vitin 2020 nuk janë planifikuar inspektime të rregullta në komunat që nuk kanë pasur inspektorë, duke theksuar se Koçan nuk ka qenë i mbuluar me inspektor për kontrolle dhe masa parandaluese në atë periudhë.
Zjarri në diskotekën “Pulse” shpërtheu më 16 mars 2025, duke u shndërruar në një nga tragjeditë më të rënda në vend. Si pasojë, 63 persona humbën jetën dhe mbi 200 të tjerë u lënduan.
Procesi gjyqësor drejtohet nga Diana Gruevska Ilievska, ndërsa Prokuroria përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh. Seancat pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim me dëgjimin e dëshmitarëve dhe shqyrtimin e provave.
Vijon gjykimi për zjarrin në “Puls”, dëshmojnë tre persona nga Komuna e Koçanit
291
Artikulli i mëparshëm
