Shkup, 3 korrik, Zhurnal.mk – VLEN ka kërkuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) të deklarohet publikisht për qëndrimet e Gëzim Ostrenit lidhur me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe rolin e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.
Kërkesa e VLEN-it vjen një ditë pas konferencës për media, në të cilën koalicioni opozitar shqiptar ngriti deklaratat e Ostrenit për mënyrën se si është trajtuar çështja e gjuhës shqipe në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit.
Sipas VLEN-it, BDI-ja deri më tani nuk ka dhënë përgjigje ndaj këtyre deklaratave.
“Është e pamundur që BDI-ja të heshtë përballë deklaratave të një prej figurave kryesore të vitit 2001, aq më tepër kur ato prekin drejtpërdrejt mënyrën se si është trajtuar gjuha shqipe në Marrëveshjen e Ohrit“, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Nga koalicioni i kanë drejtuar një pyetje të drejtpërdrejtë liderit të BDI-së: „A e mohon Ali Ahmeti Gëzim Ostrenin?“
VLEN pretendon se deklaratat e Ostrenit paraqesin pikëpyetje për mënyrën se si është negociuar dhe formuluar çështja e gjuhës shqipe në Marrëveshjen e Ohrit.
Sipas VLEN-it, Ostreni ka deklaruar publikisht se, në kohën kur Ali Ahmeti drejtonte procesin politik, gjuha shqipe nuk u përfshi në Kushtetutë me emërtimin e saj të drejtpërdrejtë.
“Ostreni tha publikisht se, derisa Ali Ahmeti drejtonte lojën politike, gjuha shqipe nuk u fut në Kushtetutë me emrin e saj. Madje, ai tregoi se vetëm shumë vite më vonë kishte kuptuar se formulimi kushtetues nuk ishte ‘gjuha shqipe’, por gjuha e një komuniteti që përbën mbi 20 për qind të popullsisë“, thekson VLEN.
Koalicioni nënvizon se këto deklarata, sipas tyre, nuk janë pretendime të VLEN-it, por qëndrime të shprehura nga vetë Gëzim Ostreni.
“Ky nuk është pretendim i VLEN-it. Këtë e tha Gëzim Ostreni“, thuhet në reagim.
VLEN i ka bërë thirrje Ali Ahmetit që, nëse nuk pajtohet me deklaratat e Ostrenit, të dalë publikisht dhe të sqarojë se cilat pjesë të tyre i konsideron të pasakta.
„Nëse Ali Ahmeti e mohon Gëzim Ostrenin, le të dalë publikisht dhe të tregojë ku nuk qëndron deklarata e tij“, kërkon VLEN.
Në të kundërtën, sipas koalicionit, Ahmeti duhet t’u japë përgjigje shqiptarëve se si, nga kërkesat politike të paraqitura gjatë vitit 2001, u arrit deri te formulimi kushtetues aktual për përdorimin e gjuhëve.
VLEN e ka kritikuar ashpër BDI-në, duke e akuzuar se për vite me radhë e ka përdorur Marrëveshjen e Ohrit si argument politik për veprimet dhe mosveprimet e saj.
“Por kësaj here, Marrëveshja e Ohrit i zuri ngushtë dhe ua mbylli gojën. Jo për shkak të asaj që thotë VLEN-i, por për shkak të asaj që tha Gëzim Ostreni“, thuhet më tej në reagim.
Në fund, VLEN kërkon nga BDI-ja një përgjigje të qartë dhe publike lidhur me deklaratat e Ostrenit.
“Shqiptarët meritojnë përgjigje: A e mohon Gëzim Ostrenin, po apo jo?“, përfundon reagimi i VLEN-it.
