VLEN: Durmishi në funksion të ekonomisë reale, bashkëpunim strategjik me Zvicrën

Nga B.M
600 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 janar – Çdoherë kemi besuar se e ardhmja ekonomike e Maqedonisë së Veriut ndërtohet përmes partneriteteve të forta, besimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit me shtete që përfaqësojnë stabilitet, zhvillim dhe standarde të larta. Takimi i Ministrit të Ekonomisë dhe Punës me Ambasadorin e Konfederatës Zvicerane, SH.T. z. Kristof Zomer, është një hap domethënës drejt një vizioni ekonomik që krijon mundësi reale, vende pune cilësore dhe perspektivë afatgjatë për qytetarët, thuhet në kumtesën e VLEN-it, të cilën MIA e publikon në formë integrale.

Në këtë takim, theksi u vu në rritjen e shkëmbimit tregtar, nxitjen e investimeve direkte zvicerane dhe forcimin e bashkëpunimit në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës. VLEN e konsideron këtë qasje si dëshmi të qartë të angazhimit për një ekonomi më të fortë, më konkurruese dhe të orientuar drejt së ardhmes. U theksua se, pavarësisht marrëdhënieve të shkëlqyera politike dhe diplomatike mes Maqedonisë së Veriut dhe Zvicrës, ekziston potencial i madh i pashfrytëzuar për bashkëpunim më intensiv ekonomik, veçanërisht në sektorët e prodhimit, industrisë, inovacioneve dhe ekonomisë së gjelbër. Në këtë drejtim, u nënvizua rëndësia e promovimit të klimës së favorshme të biznesit dhe mundësitë konkrete që ofrojnë zonat zhvillimore teknologjike-industriale në vend.
Vlerësojmë rolin e Zvicrës si një nga donatorët më të rëndësishëm dypalësh, e cila në mënyrë të vazhdueshme mbështet proceset reformuese, qeverisjen demokratike, mbrojtjen e mjedisit jetësor, energjetikën, furnizimin me ujë dhe zhvillimin ekonomik. Veçanërisht vlerësohet realizimi i suksesshëm i programeve zhvillimore zvicerane që synojnë rritjen e punësimit, mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe zhvillimin e bujqësisë organike.

Në takim u shqyrtuan edhe mundësitë për organizimin e forumeve të përbashkëta të biznesit, forcimin e lidhjeve institucionale dhe ekonomike, si dhe promovimin e mëtejshëm të produkteve eksportuese maqedonase dhe potencialeve turistike në tregun zviceran.

VLEN riafirmon përkushtimin e saj për forcimin e partneriteteve strategjike ndërkombëtare dhe mbështet çdo iniciativë që kontribuon në zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër