VLEN-i ia lë mobilizimin Jahijit, pa thirrje të drejtpërdrejtë për mbështetje në balotazh

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 tetor, Zhurnal.mk – VLEN-i, në një kumtesë për zgjedhjet lokale në Bërvenicë, ka deklaruar se respekton vendimin e qytetarëve të shprehur më 18 tetor, por nuk ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë që votuesit e tij ta mbështesin kandidatin shqiptar, Arkin Jahiji, në rrethin e dytë.

Në vend të një apeli të qartë për votë, koalicioni ia ka lënë përgjegjësinë për mobilizimin vetë Jahijit dhe koalicionit që e mbështet.

“Tani përgjegjësia është te Arkin Jahiji dhe koalicioni i tij që të mobilizojë votuesit për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale”, thuhet në kumtesën e VLEN-it.

Nga ky koalicion theksojnë se kandidati i tyre, Jakup Huseini, së bashku me shtabin lokal, ia ka uruar fitoren Jahijit që në përmbyllje të votimit dhe i ka ofruar mbështetje për balotazhin. Megjithatë, kumtesa nuk e shoqëron këtë qëndrim me një thirrje të drejtpërdrejtë drejtuar elektoratit për ta votuar atë.

Një pjesë e konsiderueshme e reagimit i kushtohet kritikave ndaj opozitës. VLEN-i pretendon se fjalori i përdorur ditëve të fundit dhe sulmet ndaj Huseinit nuk i shërbejnë unifikimit dhe mund të prodhojnë efekt të kundërt.

“Nuk kemi ndërmend të bëhemi pjesë e lojërave të pista në kurriz të banorëve të Bërvenicës”, deklarojnë nga VLEN-i, duke shtuar se votuesit e tyre janë orientuar që natën e zgjedhjeve “pro unitetit dhe pro kandidatit shqiptar”.

Në përfundim, koalicioni akuzon BDI-në për pazare politike në të kaluarën dhe deklaron se çdo përfshirje e Bërvenicës në marrëveshje të tilla do të përbënte tradhti ndaj votuesve dhe qytetarëve të komunës.
Kështu, ndonëse VLEN-i përmend mbështetjen e ofruar nga kandidati dhe shtabi i tij lokal, qëndrimi publik i koalicionit mbetet pa një apel të shprehur për votimin e Arkin Jahijit në rrethin e dytë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër