Shkup, 12 mars, Zhurnal.mk – Koalicioni VLEN ka reaguar lidhur me debatet e fundit për përdorimin e gjuhës shqipe dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut, duke kritikuar përbërjen aktuale të këtij institucioni.
Në reagimin e tyre, nga VLEN theksojnë se si parim respektojnë faktin që vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk komentohen nga partitë politike, pasi kjo mund të interpretohet si presion politik. Megjithatë, ata shprehen se përbërja aktuale e kësaj gjykate, më shumë i ngjan një elite politike jugosllave sesa instancës më të lartë gjyqësore në vend, transmeton zhurnal.mk.
Nga ky koalicion theksojnë se përdorimi i gjuhës shqipe është një e drejtë themelore e njeriut dhe një nga vlerat bazë të Kushtetutës, duke shtuar se institucionet shtetërore kanë detyrim të garantojnë informimin e qytetarëve në gjuhën e tyre amtare.
Sipas VLEN-it, kjo vlen edhe për sistemin “Safe City”, përmes të cilit qytetarët njoftohen, paralajmërohen ose ndëshkohen për shkeljet në komunikacion.
“Kur shteti njofton, paralajmëron apo ndëshkon qytetarin përmes këtij sistemi, ai ka për detyrë ta bëjë këtë edhe në gjuhën shqipe. Kjo nuk është çështje vullneti politik, por detyrim kushtetues dhe respektim i një të drejte themelore”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Nga Vlen shtojnë se do ta mbrojnë këtë parim me të gjitha mjetet juridike dhe institucionale deri në zbatimin e plotë të përdorimit të gjuhës shqipe.
Në reagim gjithashtu theksohet se dilemat që po hapen sot për këtë çështje, sipas tyre, janë pasojë e papërgjegjësisë dhe manipulimeve të politikave të mëparshme, të cilat, siç thuhet, për vite me radhë kanë pretenduar se i kanë zgjidhur çështjet kryesore për shqiptarët, ndërsa kanë lënë pas një sistem të dobësuar institucional.
