Shkup, 21 shtator, Zhurnal.mk – VLEN ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, duke ngritur pikëpyetje mbi sigurinë e tij për përfundimin e procesit.
“Për Ali Ahmetin drejtësia është kumar”, thuhet në reagimin e VLEN-it, cila pretendon se Ahmeti tashmë e ka përcaktuar rezultatin e procesit gjyqësor, ndonëse procedura është ende në zhvillim.
Nga VLEN deklarojnë se Ahmeti e konsideron Grubin të pafajshëm dhe se, sipas tyre, është shprehur me siguri se ai do të shpallet i pafajshëm.
“Gjykimi vazhdon, provat ende nuk janë nxjerrë në tavolinë, por Aliu tashmë e ka qëlluar rezultatin”, thuhet në reagimin e koalicionit.
VLEN gjithashtu pretendon se qëndrimi i Ahmetit ndaj Grubit ka ndryshuar krahasuar me deklaratat e mëparshme, kur, sipas tyre, ai kishte thënë se Grubi duhet të përgjigjet në rast se ka keqpërdorur besimin e tij.
“Deri dje thoshte se Grubi duhet të përgjigjet nëse ia ka keqpërdorur besimin. Tani nuk ka më ‘nëse’”, deklaron VLEN, duke ngritur pyetjen se çfarë ka ndikuar në ndryshimin e këtij qëndrimi.
Në reagim, VLEN e lidh çështjen edhe me përfshirjen e Grubit në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara. Autoritetet amerikane e kanë sanksionuar më herët Grubin, ndërsa VLEN e përmend këtë fakt në kuadër të kritikave të saj ndaj deklaratave të Ahmetit.
“Gjykata nuk është kazinoja politike e BDI-së dhe aktgjykimet nuk shkruhen në selinë e partisë”, thuhet në përfundim të reagimit të VLEN-it.
Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj Artan Grubit dhe shtatë personave të tjerë në rastin “Lotaria Shtetërore” është në zhvillim në Gjykatën Themelore Penale në Shkup. Të akuzuarit përballen me akuza për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar lidhur me veprimet në vitet 2023 dhe 2024. Në seancën e parë, gjykimi u shty për t’u dhënë mbrojtjes kohë shtesë për shqyrtimin e materialit dëshmues dhe për përgatitjen e mbrojtjes. Vendimin përfundimtar në këtë çështje do ta marrë gjykata pas zhvillimit të plotë të procedurës dhe administrimit të provave.
