VLEN: Marrëveshja e Ohrit nuk është tapi e bdi-së, e aq më pak ka të drejtë ta rrënojë

Nga D. V.
605 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 gusht, Zhurnal.mk – BDI-ja përsëri i është vërsulur Marrëveshjes së Ohrit, sikur ta kishte tapi të vetën. Gjoja e mbron, ndërsa në të vërtetë e mban peng për hesapet e veta partiake. Partia që dikur u shpall edhe “e gjelbër”, tani pengon avancimin e njërit prej parimeve më të rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.

Për 22 vjet, BDI-ja e kishte edhe gurin, edhe arrën. Kishte ministra, deputetë dhe pushtet deri në fyt. Mund ta miratonte ligjin kur të donte, por nuk e bëri. Jo se nuk dinte. Nuk donte.

Pa ligj, vendet e punës i ndanin sikur të ishin dhuratë nga Ali Ahmeti. Një vend pune, një familje peng. Nëse ishe me ta, dera hapej. Nëse nuk ishe, rrije jashtë. Prandaj nuk u konvenonte që përfaqësimi i drejtë të ishte e drejtë e garantuar me ligj.
Tani që Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është në tavolinë, po e njëjta BDI e bllokon. Mekanizmin e Badenterit, i cili duhet t’i mbrojë interesat e bashkësive, BDI-ja e ka shndërruar në kërbaç partiak, me të cilin godet çdo zgjidhje që nuk mban vulën e saj. Nuk u intereson se çfarë fitojnë shqiptarët. Për ta është me rëndësi vetëm që VLEN-i të mos shënojë sukses.

Kur janë në pushtet, gjithçka u duket tamam. Kur mbeten pa kolltuqe, duhet të ndalet edhe shteti. E pra, ai film nuk kalon më.

Marrëveshja e Ohrit nuk është tapi e Ali Ahmetit, pronë e BDI-së apo trashëgimi e karrigexhinjve të Reçicës së Vogël. Ajo është rezultat i sakrificës së një populli të tërë. Përfaqësimi i drejtë nuk është lëmoshë partiake, por e drejtë e qytetarëve dhe detyrim i shtetit.
Për 22 vjet nuk e bënë ligjin. Tani po përpiqen ta bllokojnë. Ligji duhet të ecë përpara, pa shantazhe e pa bllokada.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër