Von der Leyen: Maqedonia i përket BE‑së, do ta presim me identitetin dhe gjuhën maqedonase

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 2 tetor, Zhurnal.mk – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, porositi se Maqedonia e Veriut ka vend në Bashkimin Evropian dhe se Evropa është e gatshme ta mbështesë vendin në procesin e integrimit.

“Mesazhi im është i qartë – ju na përkisni neve, në tryezën e Bashkimit Evropian”, – deklaroi von der Leyen në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Hristijan Mickoski në Qeveri.

Ajo përshëndeti përparimin e vendit në kuadër të Planit për rritje, duke theksuar se Maqedonia e Veriut deri tani ka marrë 140 milionë euro, ndërsa pagesa shtesë priten në javët e ardhshme.

Von der Leyen kujtoi edhe Marrëveshjen e Prespës, duke e vlerësuar si shembull të guximit politik dhe vendim që hapi derën për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Ajo theksoi se vendi është partner i rëndësishëm edhe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke nënvizuar mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për Bashkimin Evropian.

Sa i përket procesit të integrimit evropian, von der Leyen theksoi se negociatat e qasjes nisën në vitin 2022, ndërsa procesi i skriningut u përfundua për më pak se një vit.

Sipas saj, tani mbetet një hap kyç për të vazhduar procesin dhe për të hapur klasterin e parë – “Themeli”.

“E di sa është kjo e ndjeshme, por dua të jem e qartë për atë që përfaqëson Evropa. Ne do t’i themi mirëseardhje Maqedonisë së Veriut me identitetin e saj dhe me gjuhën e saj”, – tha von der Leyen.

Ajo shtoi se gjuha dhe kultura maqedonase mund ta pasurojnë Bashkimin Evropian, duke iu referuar motos evropiane për unitet në diversitet.

Duke folur për Planin e rritjes, von der Leyen theksoi se vendi ka bërë përparim të konsiderueshëm në zbatimin e reformave, të cilat duhet të mundësojnë afrimin gradual të ekonomisë me tregun unik evropian.

Si shembuj përmendi anëtarësimin në SEPA, që ul kostot e disa transaksioneve, si dhe bisedimet për uljen e kostove të roamingut.

Von der Leyen përmendi edhe qendrën “Vezilka” si shembull të integrimit praktik me strukturat evropiane, veçanërisht në fushën e inteligjencës artificiale. Ajo paralajmëroi se Maqedonia e Veriut do të bashkohet me qendrën e re, gjë që do t’u mundësojë kompanive qasje në kapacitetet evropiane dhe burimet superkompjuterike për zhvillim dhe trajnim të modeleve me inteligjencë artificiale.

“Ju po përgatiteni, por po përgatitemi edhe ne, sepse zgjerimi është proces dypalësh”, – theksoi von der Leyen.

Ajo shtoi se, përveç vendeve kandidate, edhe Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për zgjerimin e ardhshëm, përfshirë ndryshime në institucione, politika dhe buxhet.

“Evropa do të mbetet pranë jush sepse duam t’i sjellim njerëzit e Maqedonisë së Veriut në BE. Kjo është diçka për të cilën jemi të vendosur”, – porositi presidentja e Komisionit Evropian.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër