Uashington, 2 nëntor, Zhurnal.mk – SHBA, propozim për rifillimin e shitjeve të gazit rus drejt Evropës përmes Ukrainës
Shtetet e Bashkuara mbështesin rifillimin e shpejtë të shitjeve të gazit natyror rus drejt Evropës përmes gazsjellësve që kalojnë në territorin e Ukrainës, në kuadër të negociatave për arritjen e një armëpushimi energjetik gjatë dimrit.
Lajmi bëhet i ditur nga gazeta amerikane “The Wall Street Journal”, e cila citon burime të njohura me çështjen.
Sipas tyre, ideja është hedhur nga i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner gjatë vizitës së tyre në Rusi dhe Ukrainë në muajin shtator.
Sipas propozimit, shitja e gazit natyror rus do të realizohej përmes një ndërmjetësi amerikan, me qëllim anashkalimin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Moskës.
Nisma synon të kontribuojë në sigurimin e furnizimit me energji për Evropën gjatë muajve të dimrit, në një periudhë të karakterizuar nga tensione të vazhdueshme gjeopolitike.
