Xhixho kërkon seancë pyetje-përgjigje me Kumbaron: Mbi 11 mijë mësuesve u është ulur paga

Nga B.M
643 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho tha sot se mbi 11 mijë mësuesve u është ulur paga nga 2 mijë deri në 6 mijë lekë.

Përmes një deklarate për mediet, deputetja e PL-së theksoi se “11 172 mësues shqiptarë janë përballur me uljen e pagës”, pasi “janë penalizuar nga Vendimi i Këshillit të Ministrave i datës 26 qershor 2024”.

“Kjo VKM dhe në mënyrë të veçantë Lidhja nr. 4, e cila përcakton shtesën e nivelit të kualifikimit, cenon disa të drejta të punonjësve të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Kodin e Punës dhe Kontratën Kolektive.

“Mësuesit e prekur janë trajtuar për vite me radhë në mënyrë të barabartë dhe në përputhje me ligjin, ndërsa ndryshimi i njëanshëm i kësaj trajtese përkeqëson kushtet e tyre të punës dhe cenon paga të fituara ligjërisht”, tha ajo.

Në lidhje me këtë çështje, Xhixho ka kërkuar një seancë pyetje-përgjigje me ministren e Arsimit Mirela Kumbaro.

“Duke reflektuar shqetësimin e qindra mësuesve dhe të Sindikatës së Bashkuar të Mësuesve, i jam drejtuar Kuvendit me një kërkesë për një seancë pyetje-përgjigje me Ministren e Arsimit. Në mbështetje të kërkesave të tyre të drejta, sindikatat dhe punonjësit e arsimit kërkojnë rishikimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe hapjen e një dialogu institucional serioz, që garanton trajtim të barabartë, respektim të të drejtave të fituara dhe dinjitet për mësuesit”, tha Xhixho.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër