Zbulohen dhe kapen rreth 1 milion euro të padeklaruara në Merdar

Nga D. V.
651 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Rreth një milion euro të padeklaruara janë zbuluar sot në pikëkalimin kufitar “Merdar”, gjatë një kontrolli të detajuar të kryer nga zyrtarët e Doganës së Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar, automjeti është selektuar për kontroll në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës, bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde operative.

Dogana bëri të ditur se automjeti fillimisht është kontrolluar përmes pajisjes së skanimit me rreze X (X-Ray), ku janë identifikuar indikacione për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij.

“Pas indikacioneve të para nga skaneri, është kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit të përbashkët, dyshimet janë konfirmuar me zbulimin e mjeteve monetare të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit.

Sipas vlerësimeve fillestare, shuma e mjeteve monetare dyshohet të jetë rreth 1,000,000 (një milion) euro.

Njësitë hetimore të Doganës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa prokurori kompetent është njoftuar dhe, në koordinim me të, po ndërmerren veprime të mëtejme hetimore në përputhje me autorizimet ligjore.

Dogana e Kosovës theksoi se përdorimi i teknologjisë së avancuar të kontrollit, si skanerët X-Ray, mbetet një nga mjetet kyçe për zbulimin e rasteve të kontrabandës dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme financiare. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër