Kiev, 25 nëntor Zhurnal.mk – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është në pritje të një propozimi nga Shtetet e Bashkuara për datën e zhvillimit të një takimi katërpalësh mbi Ukrainën, ku pritet të marrë pjesë edhe Evropa.
Lajmi u bë i ditur nga vetë Zelensky përmes një postimi në kanalin e tij në Telegram, pas takimit në Kiev me ministrin e Jashtëm të Estonisë, Margus Tsahkna.
Gjatë takimit, palët diskutuan për sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, si dhe për përgatitjet për Konferencën e Rindërtimit të Ukrainës, e cila pritet të zhvillohet në fillim të vitit të ardhshëm në Estoni.
Një tjetër temë e rëndësishme e diskutimit ishin negociatat për përfundimin e luftës dhe garancitë e ardhshme të sigurisë për Ukrainën.
Zelensky nuk dha detaje të tjera mbi formatin e takimit katërpalësh, por bëri të ditur se tashmë pret nga pala amerikane përcaktimin e datës për zhvillimin e tij.
