Prishtinë, 2 nëntor, Zhurnal.mk – Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka thënë se miratimi i Kodit Civil është përgjegjësi e Kuvendit të Kosovës, duke shprehur shpresën se për këtë çështje do të arrihet konsensus shoqëror, raporton Ekonomia Online.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetes së Aleancës, Time Kadrijaj, në Komisionin për Integrim Evropian, Zulfaj ka sqaruar se nga 22 hapat e mbetur të reformave në kuadër të Planit të Rritjes, dy janë në përgjegjësi të Kuvendit, përfshirë Kodin Civil.
Kadrijaj e ka pyetur Zulfajn nëse Qeveria i ka siguruar votat për miratimin e Kodit Civil, duke veçuar çështjen e martesës dhe bashkësisë familjare, si dhe të drejtave të personave me orientime të ndryshme seksuale. Ajo ka ngritur gjithashtu çështjen e përmbushjes së reformave të Planit të Rritjes, ku përfshihet edhe miratimi i këtij dokumenti.
“Kemi 18 hapa, nëse nuk përmbushen të 18tat dhe dua të lidhem në hapin e 17 që është miratimi i kodit civil, që ka të bëjë me martesat, bashkësia familjare dhe të drejtat e personave me orientime të ndryshme seksuale a ka punuar qeveria që të ketë votat për kalimin e këtij ligji për shkak që ne e dimë cilat janë dallimet. A do miratohet kjo dhe a i keni siguruar votat për të kaluar kodi civil. A ekziston tash për shkak të zgjedhjeve të fundit në serbi dhe të fitimit që ka ra Vuçiqi dhe që ka fituar lista e studentëve, a mendoni që do të ndryshojë qasja e Serbisë në raport me Kosovën dhe a ka rrezik që ata me pas prioritet në BE dhe me hedh shumë më shumë se Kosova në agjendat evropiane por edhe në planin e rritjes. A do të hapen negociatat për anëtarësim të Kosovës në BE dhe dialogu strategjik, çka po kërkohet nga SHBA që e kanë pezulluar dhe çka duhet të bëj Kosova që të kthehet dialogu strategjik. Po më intereson edhe marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit, kemi pasur deklarata herë është pranuar herë jo, a po më tregoni a keni pranuar atë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, a është pranuar Zajednica, në cilën fazë dhe cilën pikë jemi?”, ka pyetur ajo.
Zulfaj ka theksuar se miratimi i Kodit Civil është në kompetencë të deputetëve, por ka shprehur shpresën për një pajtim më të gjerë shoqëror rreth vlerave që përfshihen në të.
Sa i përket hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Zulfaj ka thënë se Kosova nuk ka pengesa që lidhen me përmbushjen e kritereve, por se çështja varet nga vullneti politik dhe uniteti brenda BE-së.
Ndërkaq, për çështjet që lidhen me dialogun Kosovë-Serbi, zgjedhjet në Serbi, Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, si dhe dialogun strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zulfaj ka thënë se nuk janë në fushën e përgjegjësisë së tij dhe se nuk do të komentojë për to.
“Kodi civil, janë 22 hapa jo 18-të, dy prej tyre ka kuvendi, është pjesë e këtyre hapave. Është përgjegjësi e kuvendit që ta kaloj, shpresoj që të ketë konsensus shoqëror në lidhje me vlerat që janë të përfaqësuara në kodin civil. Reformat nuk bllokohen, shpresoj të kemi unitetin në agjendën e reformave. Nuk jam përgjegjës për të gjitha, besoj se për dialogun mund të ftoni kryenegociatorin për dialog Kosovë- Serbi, nuk kam mendim që ta ndaj me ju as për zgjedhjet në Serbi. A do të hapen negociatat për anëtarësim, ju thashë se nuk ka ndonjë kriter që Kosova nuk e përmbush për të hapur negociatat për anëtarësim. Nëse shohim pushtete e rajonit kanë fituar statusin kandidat dhe kur i kanë hapur negociatat, Kosova është më e avancuar në çdo aspekt zhvillimor, çështja është më shumë e vullnetit brenda BE-së dhe unitetit sesa kritereve që kemi ne. Nuk do të shprehem as për dialogun strategjik me SHBA-në nuk është në portofolin tim, as për marrëveshjen për Bruksel”, tha ai.
