Zyrtare: Patrick Vieira përzgjedhës i Senegalit

Nga D. V.
563 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Patrick Vieira është emëruar përzgjedhësi i ri i Senegalit, duke marrë për herë të parë në karrierën e tij drejtimin e një kombëtareje.

Federata Senegaleze e Futbollit (FSF) e konfirmoi të martën emërimin e ish-mesfushorit francez, i cili ka lindur në Dakar të Senegalit. Vieira do të pasojë Pape Thiaw, i cili u largua nga posti pas eliminimit nga Kampionati Botëror i këtij viti në fazën e 1/16-ve.

“Zotëri Patrick Vieira është trajneri i ri i kombëtares së Senegalit. Data e prezantimit zyrtar dhe hapat e ardhshëm për emërimin e tij do të bëhen të ditur në një njoftim të mëvonshëm”, thuhet në njoftimin e FSF-së.

50-vjeçari do të marrë drejtimin e një kombëtareje për herë të parë, pas eksperiencave të tij në klubet e Anglisë, Francës dhe Italisë.

Vieira ka drejtuar Crystal Palace në Ligën Premier, ndërsa në Francë ka qenë trajner i Nice dhe Strasbourg. Ai pati gjithashtu një eksperiencë të shkurtër në Itali, ku drejtoi Genoan në Serie A.

Ish-mesfushori është një prej lojtarëve më të suksesshëm në historinë e Francës. Vieira ishte pjesë e skuadrës që fitoi Kupën e Botës në vitin 1998 dhe Kampionatin Evropian në vitin 2000. Ai zhvilloi më shumë se 100 paraqitje me fanellën e Francës.

Në nivel klubesh, Vieira njihet më së shumti për periudhën e tij te Arsenali, ku zhvilloi mbi 400 ndeshje dhe fitoi tre tituj të Ligës Premier.

Detyrat e tij të para me Senegalin do të nisin gjatë grumbullimit të ardhshëm të kombëtareve, ndërsa kampionët e Kupës së Kombeve të Afrikës të vitit 2021 do të fillojnë përgatitjet për edicionin e vitit 2027. Kualifikimet për këtë turne pritet të nisin që në muajin shtator.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër