Bozhinovska: Infrastruktura që po ndërtojmë sot do ta përcaktojë rolin energjetik të vendit nesër

Nga D. V.
591 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 18 gusht, Zhurnal.mk – Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, theksoi se infrastruktura energjetike planifikohet për dekada përpara dhe për rrjedha energjetike që tashmë po e ndryshojnë hartën e Evropës.

Ajo prezantoi Studimin e parë Kombëtar për Hidrogjenin, i cili nuk është vetëm dokument për një burim të ri energjie, por udhërrëfyes për drejtimin ku duhet të lëvizë shteti – drejt një infrastrukture të përgatitur për prodhimin, transmetimin dhe përdorimin e hidrogjenit të pastër.

Bozhinovska nënvizoi se pozita gjeografike e Maqedonisë, mes Greqisë dhe Serbisë dhe në rrugën drejt tregjeve të Evropës Qendrore, mund të marrë rol të ri në rrjetin pan-evropian të hidrogjenit. Por për këtë potencial duhen lidhje fizike, rregulla të harmonizuara, institucione të forta dhe bashkëpunim afatgjatë rajonal.

Ajo kujtoi takimet në SHBA, përfshirë edhe në Shtëpinë e Bardhë, ku u nënshkrua Memorandumi për bashkëpunim në energjetikë, si dhe takimin katërpalësh ministror në Athinë më 15 maj, ku u vendos përfshirja e Maqedonisë dhe Serbisë në zgjerimin e Korridorit Vertikal të Gazit.

Ministrja theksoi se interkonektorët me Greqinë dhe Serbinë po ndërtohen jo vetëm për diversifikim të furnizimit me gaz natyror, por edhe si infrastrukturë e përgatitur për transport të hidrogjenit.

Segmenti maqedonas i interkonektorit me Greqinë, nga Negotina deri në kufi, është 67 km, ndërsa i gjithë projekti deri në Nea Mesimvria do të ketë 123 km. Kapaciteti i planifikuar është deri në 2,8 miliardë metra kub gaz në vit, duke i tejkaluar nevojat vendore dhe duke i dhënë Maqedonisë rol tranzitues.

Bozhinovska përmendi edhe projektin e tranzicionit të drejtë në REK Bitola, ku po përgatitet centrala e re kogjenerative “REK Bitola 1”, me mbështetje prej 2,4 milionë dollarësh nga Banka Botërore, e cila do të përdorë gaz natyror me mundësi përshtatjeje për hidrogjen në të ardhmen.

Ajo theksoi se reformat e energjetikës tashmë janë vlerësuar pozitivisht nga Komisioni Evropian, duke përfshirë krijimin e sistemit për menaxhimin e tranzicionit të drejtë dhe miratimin e planit trevjeçar për rinovimin e ndërtesave të administratës qendrore.

„Nga shtet i varur nga një pikë hyrëse, Maqedonia po bëhet shtet i lidhur me më shumë drejtime dhe burime. Nga vëzhgues i proceseve rajonale, po shndërrohemi në pjesëmarrës aktiv. Kjo është infrastruktura që po ndërtojmë sot dhe roli energjetik që po krijojmë për nesër“, përfundoi ministrja Bozhinovska.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër