12 tragete dhe 6 mijë pasagjerë në ditë në Portin e Durrësit, Karakaçi: Thjeshtësim i lëvizjeve për vizitorët

Nga D. V.
971 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 20 korrik, Zhurnal.mk – Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, inspektoi Portin e Durrësit në kulmin e sezonit turistik, ku janë marrë masat dhe vijon puna për përpunimin e trageteve dhe menaxhimin e fluksit të udhëtarëve gjatë muajve të verës.

Gjatë vizitës, ministri u njoh me masat e ndërmarra nga strukturat portuale për garantimin e një shërbimi të shpejtë dhe të sigurt për qytetarët dhe turistët që udhëtojnë përmes linjave detare.

Drejtori i Portit të Durrësit, Liburn Aliu, informoi ministrin për organizimin e punës gjatë periudhës së fluksit të lartë turistik.

“Nga 1 korriku deri më 15 shtator kemi dyfishim të personelit. Kemi 30 pika, nga të cilat 10 janë për qytetarët, ndërsa 20 të tjera vijojnë punën për përpunimin e mjeteve. Masat janë marrë edhe për inspektimin e vazhdueshëm të hapësirave të brendshme të terminaleve dhe është konfiguruar edhe parkimi”, tha drejtori i portit, teksa bëri të ditur se çdo gjë po shkon mirë.

Ai bëri të ditur se linja e trageteve Durrës–Ankona operon çdo ditë, ndërsa linja Durrës–Bari funksionon dy herë në ditë, nga e enjtja deri të dielën.

Aktualisht në Portin e Durrësit përpunohen 6 mijë pasagjerë dhe 12 tragete në ditë. Po ashtu, është rritur bashkëpunimi me Autoritetin Portual, Policinë dhe institucionet e tjera, për të krijuar shërbim sa më të shpejtë dhe menaxhim sa më efikas të fluksit të vizitorëve.

Gjatë inspektimit, ministri Karakaçi kërkoi vijimin e masave për përballimin e sezonit turistik dhe garantimin e standardeve më të mira të shërbimit në port.

Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë Detare, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për menaxhimin e sezonit.

“Marrja e masave fillon që sa përfundon sezoni, me qëllim reduktimin e problematikave të hasura dhe përgatitjen për sezonin e ri. Bashkëpunojmë me të gjitha institucionet e linjës. Në portet e Sarandës, Vlorës dhe Durrësit, çështja e sigurisë është në gatishmëri të plotë për të shërbyer që nga pritja e trageteve, përpunimi dhe deri te imbarkimi i tyre”, tha ai.

“Jemi në kulmin e sezonit turistik. Në vitin 2025 në Portin e Durrësit janë përpunuar 800 mijë pasagjerë. Mendojmë se do të kemi të njëjtin numër edhe këtë vit. Është i rëndësishëm zbatimi me përpikëri i planit të masave që Autoriteti Portual i Durrësit, por edhe Drejtoria e Përgjithshme Detare, kanë marrë, pasi detyra jonë është që ta bëjmë sa më të thjeshtë hyrjen në Shqipëri të turistëve dhe shqiptarëve që vijnë nga larg”, deklaroi Karakaçi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër