Ish-kryeministri Sali Berisha, u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për t’u marrë në pyetje si person që ka dijeni për vrasjen e 4 protestuesve në 21 janar 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë.
Berisha mbërriti në SPAK rreth orës 09:00 dhe do të merret në pyetje nga prokurorët e çështjes. Kjo është hera e parë që Berisha do të pyetet nga SPAK për “21 Janarin” dhe rolin e tij në këtë çështje që tashmë është në hetim nga Prokuroria e Posaçme.
Kryetari i Partisë Demokratike, i ka cilësuar “hetimin politike”, dhe se prej “13 vitesh çështja po përdoret për propagandë nga qeveria”.
Në 30 tetor SPAK mori në pyetje ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha për ngjarjen e 21 Janarit.
Në 21 janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë u vranë katër qytetarë: Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedaj.
Në nëntor të vitit 2023 Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg, e cilësoi 21 Janarin si “krim shtetëror” dhe që duhet hetuar si i tillë.
Pas urdhrit të Gjykatës së Lartë, në korrik 2024, Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin.
