24 vjeçaren shqiptare në Graz e vrau vëllau i partnerit duke e goditur me çekiç

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Graz, 5 shtator Zhurnal.mk – Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Grazit në Austri, ku një 24-vjeçare shqiptare është vrarë brenda banesës ku jetonte me partnerin e saj.

Burime për JOQ Albania bëjnë me dije se viktima është Abigel Laçi, me origjinë nga Fieri. Sipas informacionit të mbërritur në redaksi, e reja dyshohet se është goditur për vdekje me çekiç.

Ngjarja ndodhi mesditën e së enjtes, 3 shtator, në një apartament në qendër të Grazit. Policia u njoftua rreth orës 12:40 dhe, pasi mbërriti në vendngjarje, gjeti 24-vjeçaren të pajetë. Sipas autoriteteve, ajo ndërroi jetë në vend për shkak të plagëve të marra.

Pak pas ngjarjes, në shkallët e pallatit u arrestua një 23-vjeçar, i cili, sipas dëshmitarëve, ishte i mbuluar me gjak. Fillimisht policia bëri të ditur se i riu kishte lidhje familjare me viktimën, ndërsa më vonë u konfirmua se ai është vëllai i partnerit të Abigel Laçit.

Sipas hetimeve paraprake, 23-vjeçari dyshohet se ka shkuar i vetëm në banesë dhe ka hyrë me forcë. Në atë moment, Abigel ndodhej e vetme, pasi partneri i saj nuk ishte në apartament. Çekiçi dyshohet të jetë përdorur si mjet në krim, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë publike të gjitha detajet për të mos cenuar hetimin.

I riu ka zgjedhur të mos flasë gjatë marrjes në pyetje dhe nuk ka dhënë asnjë informacion mbi ngjarjen apo motivin e mundshëm. Ai po hetohet për dyshimin e vrasjes dhe është dërguar në institucionin penitenciar Graz-Jakomini me urdhër të Prokurorisë së Grazit.

Ndërkohë, trupi i 24-vjeçares i është nënshtruar autopsisë, ndërsa hetuesit e Landeskriminalamt Steiermark po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Deri tani, nuk ka një motiv zyrtar të konfirmuar.

Në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur edhe një denoncim nga një person që pretendon se e njeh rastin. Sipas tij, vrasja lidhet me motive raciste, pasi Abigel ishte shqiptare. Denoncuesi ngre shqetësimin se prejardhja e viktimës nuk është bërë e ditur në mediat austriake dhe kërkon vëmendjen e institucioneve shqiptare, përfshirë Ambasadën e Shqipërisë në Austri.

Këto pretendime nuk janë konfirmuar deri tani nga autoritetet austriake dhe mbeten pjesë e informacionit të përcjellë nga denoncuesi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër