9
Tiranë, 27 nëntor, Zhurnal.mk – Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën në drejtimin e Kryetares, Ina Zhupa, zhvilloi një takim në qytetin e Durrësit me pedagogë, studentë të programeve të turizmit dhe operatorë turistikë.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Zëvendëskryetari i komisionit, Erion Malaj, anëtarët Skënder Pashaj, Briseida Çakërri, Ramion Kurti, Arkend Balla dhe Ana Dajko.
Gjatë këtij takimi u diskutua për potencialin turistik të qytetit të Durrësit, problematikat me të cilat përballen operatorët turistikë dhe mundësitë e zhvillimit të mëtejshëm të turizmit.
Deputetët e komisionit rikonfirmuan angazhimin e tyre në mbështetje të turizmit ndërsa nënvizuan se dialogu i vazhdueshëm me aktorët e këtij sektori është thelbësor për hartimin e politikave që nxisin një turizëm cilësor, konkurrues dhe të qëndrueshëm.
Pedagogët e pranishëm ngritën disa shqetësime ku kërkuan që praktikat e studentëve të njihen si vite pune pune pasi në këtë mënyrë do të motivohen për të qëndruar dhe për të kontribuuar në përmirësimin e shërbimeve dhe zhvillimin e turizmit në vend.
Gjithashtu ata kërkuan më shumë mundësi trajnimi, organizimin e ditëve të hapura, ndërsa bënë thirrje për më shumë bashkëpunim ndërinstitucional në shërbim të turizmit.
Një operator turistik shprehu nevojën për masa konkrete në funksion të zhvillimit të turizmit në Durrës, duke kërkuar që Porti të jetë plotësisht i aksesueshëm për vizitorët ndërsa theksoi se përqendrimi i pikave të informacionit turistik, siteve arkeologjike dhe resurseve historike në qendër të qytetit është i domosdoshëm për të orientuar pushuesit dhe për të përmirësuar ndjeshëm ofertën turistike të vendit.
Komisioni mori disa angazhime që lidhen me përmirësimin e legjislacionit në fuqi dhe mbështetjen për operatorët turistik dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
