Shkup, 3 tetor Zhurnal.mk – Më 3 tetor të vitit 1995, para 31 vjetësh, u krye atentat ndaj presidentit të parë të Republikës së pavarur të Maqedonisë, Kiro Gligorov. Ai i mbijetoi sulmit me lëndime të rënda në kokë, por nga shpërthimi humbi jetën shoferi i tij, Aleksandar Spirovski, ndërsa u plagos truproja Ilço Teovski.
Si pasojë e lëndimeve, më vonë ndërroi jetë edhe kalimtari i rastit, Hristo Hristomanov, ndërsa u plagosën edhe Klime Korobar dhe Jovan Atanasovski.
Atentati ndodhi në orën 9:50, në rrugën “Maqedonia” në Shkup, para hotelit “Bristol”. Gligorov, me automjetin zyrtar, po udhëtonte nga rezidenca e tij drejt Kuvendit.
Sulmi u krye me një makinë bombë. Në një automjet “Citroën Ami 8” ishin vendosur 20 kilogramë eksploziv, i cili u aktivizua me telekomandë në momentin kur vetura e Gligorovit po kalonte pranë ndërtesës së Kuvendit. Pak para shpërthimit, automjeti zyrtar i presidentit ishte ngadalësuar nga një makinë e tipit “Fiço”.
Hetimet konstatuan se atentati ishte përgatitur dhe organizuar mirë, por edhe më shumë se tri dekada më vonë, mbetet e panjohur se kush qëndronte pas sulmit. Procedura hetimore ndaj autorit të panjohur vazhdon të jetë e hapur.
Në kuadër të hetimeve janë kontrolluar 30.850 automjete, janë inspektuar më shumë se 15.000 objekte dhe janë identifikuar mbi 188.000 persona, prej të cilëve 19.000 janë kontrolluar. Ministria e Punëve të Brendshme ka zhvilluar edhe disa biseda informative me persona për të cilët kishte dyshime se mund të kishin lidhje me atentatin, por të gjithë janë liruar pas marrjes në pyetje.
Kiro Gligorov ndërroi jetë më 1 janar të vitit 2012, në moshën 94-vjeçare. Atentati ndaj tij edhe sot mbetet një nga rastet më të mëdha të pazbardhura në historinë e re të Maqedonisë.
