Shkup, 12 nëntor Zhurnal.mk – Një traktor i blerë me mbështetje financiare nga shteti nuk është gjetur në fermën bujqësore së cilës i ishte ndarë, ndërsa gjatë kontrolleve te bletarët janë konstatuar dallime të konsiderueshme mes numrit të raportuar dhe atij të gjetur të familjeve të bletëve. Këto janë disa nga parregullsitë e zbuluara gjatë kontrolleve në terren në rajonin e Ohrit dhe Strugës, të realizuara nga Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural.
Në fshatin Biçevë të Strugës, gjatë kontrollit të një traktori të blerë në vitin 2023 përmes Programit për Zhvillim Rural, është konstatuar se mekanizimi nuk ndodhej as në fermën bujqësore të përfituesit dhe as në parcelat bujqësore të deklaruara.
Sipas deklaratave të personave të pranishëm, traktori i ishte dhënë në shfrytëzim një personi tjetër, ndërsa në oborrin e fermës nuk kishte asnjë gjurmë të pranisë së tij. Për më tepër, kishte edhe njoftime me shkrim se traktori ishte shitur, çështje kjo që do të jetë objekt i verifikimeve të mëtejshme.
Nga Agjencia rikujtojnë se përfituesit e kësaj forme të mbështetjes financiare kanë detyrim kontraktual që investimin ta shfrytëzojnë për nevojat e fermës së tyre për të paktën pesë vjet, pa ia dhënë në përdorim personave të tretë dhe pa e tjetërsuar atë.
Parregullsi janë konstatuar edhe gjatë kontrolleve te bletarët. Në një rast, një përfitues kishte deklaruar 50 familje bletësh, por gjatë verifikimit në terren nuk është gjetur asnjë e tillë. Për më tepër, sipas të dhënave në dispozicion, përfituesi nuk posedon as numër të regjistrimit të fermës blegtorale (RBO).
Në një rast tjetër, një bletar kishte deklaruar 600 familje bletësh, por kontrollorët në terren kanë konstatuar vetëm 190 familje me bletë dhe edhe 10 koshere të zbrazëta. Rreth 400 familjet e tjera të deklaruara nuk janë gjetur gjatë kontrollit.
Për rezultatet e kontrolleve informoi drejtoresha e Agjencisë, Irotova Lazareva, e cila theksoi se gjendjet e konstatuara ngrenë pikëpyetje serioze lidhur me mënyrën e shfrytëzimit të mbështetjes financiare dhe besueshmërinë e të dhënave të raportuara nga përfituesit.
Ajo theksoi se kontrollet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme dhe do të realizohen në të gjitha fazat: para pagesës së mjeteve, pas pagesës dhe gjatë gjithë periudhës në të cilën përfituesit janë të detyruar t’i përmbushin obligimet kontraktuale.
„Nuk ka selektivitet dhe nuk ka të privilegjuar“, porositi drejtoresha, duke theksuar se obligimi i Agjencisë është të mbrojë bujqit e ndershëm dhe të sigurojë që paratë publike të shfrytëzohen për prodhimtari të mirëfilltë bujqësore.

